Avokatët e Erion Veliajt dhe familjes së tij, kanë publikuar disa nga argumentet e tyre të mbrojtjes, pas dëshmisë prej 5 orësh të kryebashkiakut socialist para prokuroreve të SPAK.
Publikimi i argumenteve ligjore të Erion Veliajt vjen menjëherë pasi SPAK ditën e sotme publikoi 4 veprat penale që po hetohet kryebashkiaku i Tiranës.
Veliaj sipas SPAK është nën hetim për ‘korrupsion pasiv’ pas denoncimit te bere nga një shtetas me iniciale N.A. Nga ana tjetër, avokatët e Erion Veliajt dhe familjes se tij, theksojnë se hetimet janë dashakeqe, të qëllimshme ndaj kryebashkiakut dhe në kundërshtim me ligjin.
“Hetime keqdashës, i qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin! Nisja e procesit hetimor pa dyshim të arsyeshëm! Procesi hetimor është iniciuar mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara (fiktive), pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor. Nuk kuptohet qartë vepra penale për të cilën është kallëzuar ose dyshohet Erion Veliaj. Nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të Erion Veliajt, prokurori kishte detyrimin ligjor ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale. Nga ai moment duhej të fillonte edhe llogaritja e afatit gjashtëmujor të hetimit”, theksohet në argumentet e avokatëve.
Pala mbrojtëse i mëshon faktit se hetimet janë bërë në tejkalim të afateve, ndërkohë që janë intimiduar personat e thirrur me statusin e “personit që ka dijeni”.
