‘Skandal me paratë publike’/ Miliarda nga buxheti për inceneratorin e Tiranës që nuk u ndërtua kurrë

Data

Edhe pse inceneratori i Tiranës nuk është ndërtuar kurrë, pagesat nga buxheti i shtetit vijojnë pa ndërprerje. Vetëm gjatë vitit 2025, kompania Integrated Energy BV SPV, që mban kontratën PPP, ka përfituar rreth 1.4 miliardë lekë, ndërsa në total fondet publike të transferuara deri më sot kanë arritur në 9.1 miliardë lekë, ose rreth 92 milionë euro.

Paratë janë derdhur ndërkohë që objekti kryesor i kontratës – ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit – nuk është realizuar. Në praktikë, projekti është reduktuar në një landfill për depozitimin e mbetjeve, pa proces incinerimi, pa prodhim energjie dhe pa teknologjinë që ishte thelbi i partneritetit publik-privat.

Sipas shpjegimeve të dhëna më herët nga Ministria e Financave, pagesat kryhen për shkak se kontrata PPP nuk është shpallur e pavlefshme dhe vazhdon të jetë ligjërisht në fuqi. Për rrjedhojë, shteti pretendon se ka detyrim ligjor të zbatojë kontratën, pavarësisht se investimi nuk është përmbushur.

Kontrata është ndërtuar në mënyrë të tillë që tarifa vjetore fikse nuk kushtëzohet nga përfundimi i inceneratorit, por nga ofrimi i një të ashtuquajturi “shërbim i integruar i menaxhimit të mbetjeve”. Kjo skemë i lejon kompanisë të përfitojë fonde publike edhe pa impiant funksional, mjafton të deklarojë “gatishmëri shërbimi”.

Në aspektin e financave publike, ky mekanizëm bie ndesh me parimin bazë të pagesës kundrejt rezultatit. Rreziku financiar, që në një PPP normale duhet të mbartet nga privati, është transferuar pothuajse tërësisht mbi taksapaguesit. Çdo vit pa rinegocim ose ndërprerje kontrate shton faturën publike, pa asnjë përmirësim real në trajtimin e mbetjeve urbane.

Aktualisht, kompania ndodhet nën sekuestro preventive dhe administrohet nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Megjithatë, kjo agjenci nuk është pronare e pasurive, por vetëm kujdestare e përkohshme deri në një vendim gjyqësor përfundimtar. Për këtë arsye, aktiviteti ekonomik i shoqërisë lejohet të vazhdojë dhe të ardhurat nuk derdhen në buxhetin e shtetit, por mbeten në llogaritë e kompanisë për shpenzime operative ose mbahen të bllokuara.

Në thelb, skema e inceneratorit të Tiranës po shndërrohet në një nga rastet më domethënëse të pagesave publike pa investim, ku miliarda lekë vazhdojnë të dalin nga buxheti për një vepër që ekziston vetëm në kontratë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related