Lufta kundër ardhjes ilegale të migrantëve, mbrojtja ndaj sulmeve kibernetike, forcimi i shtetit ligjor dhe demokracisë kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm – këto janë vetëm disa nga detyrat me të cilat qeveria e re federale e Gjermanisë do të përballet në politikën e brendshme në vitin 2025, pavarësisht se kush e drejton qeverinë pas zgjedhjeve të reja në shkurt.
Megjithatë, po të pyesësh politikanët në Bundestag, të cilët kanë qenë në krye të politikës vitet e fundit, të gjitha këto sfida janë nën hijen e krizës së thellë ekonomike. Kompanitë e mëdha industriale si Volkswagen (VW) po shpallin shkurtimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës, njerëzit janë të shqetësuar për punët e tyre dhe vuajtjet nën barrën e inflacionit të lartë.
Çmimet e larta të energjisë dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar
Marko Vanderwitz(CDU) ishte përfaqësuesi i qeverisë federale për landet e Gjermanisë Lindore deri në vitin 2021, një politikan nga Saksonia thotë për DW: “Problemi më i madh që kemi në vendin tonë është se ekonomia po lëkundet. E kjo me të vërtetë godet në zemër të qëndrueshmërisë së ardhshme. Problemi i madh është se po humbasim besimin në politikën e atyre që krijojnë ekonominë”.

Arsyeja: çmimet shumë të larta të energjisë, niveli i lartë i pagave gjermane, infrastruktura e rrënuar, konkurrenca e madhe nga Kina. Por edhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe burokracia në rritje. Sipas Omid Nuripur, ish-lideri i partisë së të Gjelbërve, kjo pikë e fundit mbi të gjitha tregon dështimet e digjitalizimit.”
