Mungesa e kimios për pacientët me sëmundje tumoriale në spitalin Onkologjik në QSUNT vijon gjithnjë e të thellohet. Pavarësisht denoncimeve të shumta, nuk ka asnjë reflektim nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilët janë të fokusuar vetëm tek propaganda dhe jo shërbimi ndaj qytetarëve.
Së fundmi, gazetari Osman Stafa ka denoncuar rastin e një vogëlushi vetëm 2 vjeç, i cili është diagnostifikuar me tumor në bark dhe prej 10 ditësh mbahet pa trajtim në spital, pasi mungon kimio.
Në një postim në rrjetet sociale, Stafa shkruan se 2-vjeçari ka nevojë të nisë kimioterapinë dhe mes medikamenteve kimio që duhet të përdorë është edhe “Actinomycin D”, që ashtu si shumë medikamente të tjera mungojnë në këtë spital.
“Po të gjendet ilaçi, e lufton 75% të sëmundjes që ka fëmija. Kur nuk gjendet ilaçi, mjekohet me një tjetër por ulet mundësia e shërimit. Unë si nënë ndihem shumë e zhgënjyer prej shtetit tonë sepse as këtë medikament nuk e siguron për fëmijën, atëherë si të rrimë ne këtu?”– u shpreh nëna e vogëlushit.
Ajo i bëri thirrje edhe kryeministrit Edi Rama dhe ministres Albana Koçiu që të ndërhyjnë për të siguriar ilaçet jetësore.
