Konsideroni vetëm dy shifra. Qeveria shqiptare mbledh mesatarisht 28 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të ardhura në buxhet, kurse në Bashkimin Europian mesatarja është rreth 42 për qind e PBB.
Por nëse krahasohen investimet raporti është i përmbysur. Shqipëria investon mbi 6 për qind të PBB-së nga të ardhurat buxhetore. Bashkimi Europian në vitin më të mirë arrin të investojë rreth 2.7 për qind. Dhe kjo nuk e tregon të gjithë historinë. Nëse llogariten dhe koncesionet, rrugët që ndërtohen nga privatët, hendeku është shumë më i madh.
Pyetja është ku i gjen Shqipëria paratë të mbajë një nivel kaq të lartë investimesh publike? Dhe përgjigja është e thjeshtë. Nga tre kategori kryesisht. Qeveria u merr paratë pensionistëve, të sëmurëve dhe nxënësve në shkolla.
Qeveria shqiptare kursen minimalisht 1 miliardë euro në vit nga mbajtja e pensioneve në nivele qesharake, 400 milionë euro nga hedhja e barrës së financimit të sëmundjeve në xhepat e qytetarëve dhe po kaq nga nënfinancimi i sistemit arsimor. Këto dy miliardë euro kompesojnë plotësisht diferencën negative të të ardhurave që Shqipëria ka me vendet e BE-së si dhe i mundësojnë qeverisë të investojë mbi 2 herë më shumë në ekonomi.
