Teksa po bëhen rreth 3 muaj nga emërimi i Ilir Prodës në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sërish nuk vihet re asnjë ndryshim në organizatën e uniformave blu dhe siguria në vend mbetet në pikën më të ulët të saj.
Ngjarjet e shumta kriminale nuk kanë munguar as në 24 orëshin e fundit, ku tre prej më të rëndave kanë ndodhur në Korçë, në Tiranë dhe në Vlorë.
I riu futet me dhunë brenda bankës në Korçë
Mbrëmjen e djeshme në qytetin juglindor, një person hapi me dhunë derën e një banke të nivelit të dytë në qendër të Korçës dhe u fut brenda. Pasi dëgjoi sirenat e Policisë, i riu u largua në drejtim të paditur dhe teksa kanë kaluar rreth 24 orë, ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Thuhet se autori ishte “live” në platformën TikTok dhe nuk dihet se cili ishte qëllimi i tij i vërtetë. Gjithsesi, në kamerat e sigurisë së bankës ai shfaqej i pamaskuar, por deri më tani Policia vendore e drejtuar nga shefi i ri Erion Ahmeti ka dështuar që minimalisht të bëjë identifikimin e tij dhe jo më për kapjen që as që nuk bëhet fjalë.

Efektivët e Erion Ahmetit në Korçë vendosën shiritin e verdhë tek Banka dhe vetëm kaq, pavarësisht se në njoftimin për mediat theksonin se kishin rrethuar zonën për të kapur autorin.
