Në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, e mbajtur sot në Prishtinë, ministrja Elisa Spiropali u shpreh me entuziazëm për rëndësinë e këtij takimi historik dhe theksoi lidhjen e fortë mes dy vendeve.
“Me origjinë jam nga Bregu i Labërisë, kam lindur në Tiranë, por me shtëpi zemre jam nga Prishtina e Prizreni. Jemi një gjak, një gjuhë, një histori e kulturë,” deklaroi Spiropali, duke theksuar unitetin kombëtar.
Ajo shtoi se takime të tilla duhen organizuar më shpesh dhe me pjesëmarrje më të madhe. “Duhet të takohemi të gjithë aq shqiptar sa ka bota. Nuk prish punë se nuk na nxë kjo sallë, na nxënë pllajat e fushat,” tha ajo.
Spiropali foli për përparimet e shqiptarëve në dy dekadat e fundit, duke e cilësuar këtë periudhë si një dëshmi të energjisë që sjell liria. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke e quajtur Kosovën “prioritet kombëtar të Shqipërisë dhe e anasjellta.”
“Suksesi i njërës është kusht për tjetrën. Ritmi i njërës kushtëzon edhe tjetrën,” përfundoi Spiropali, duke theksuar se ky takim është një hap drejt realizimit të një bashkëpunimi më të madh mes dy vendeve.
