Nuk munguan debatet as në seancën e sotme plenare. Së pari, opozita u revoltua me vonesën e ministrit të Financave Petrit Malaj në Kuvend. Së dyti, krijoi debat interpelanca e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj me ministren Belinda Balluku. Kjo e fundit tha se ka qenë gjithnjë e gatshme për interpelancë, ndryshe nga çfarë ka deklaruar Shehaj. Ndërkohë Agron Shehaj ka bllokuar foltoren duke penguar ministrin e Financave Petrit Malaj që të flasë për faljen e gjobave mbi ndërtimet pa leje. Situata e krijuar ka detyruar Elisa Spiropalin që ta ndërpresë seancën teksa e ka përjashtuar Shehajn nga seanca.
Spiropali: Deputeti Sali Berisha ka fjalën, apo të vijojmë me folësit e tjerë. Askush nuk mund të bllokojë foltoren. Uluni në vend, zhbllokoni foltoren. Ju tërheq vëmendjen, nëse e përsërisni ju jap vërejte. Mos krijoni skena të kota, do ju heq të drejtën e fjalës.
