Analiza e VOA: Si do t’i shkurtojnë shpenzimet e qeverisë dy sipërmarrësit miliarderë në SHBA

Data

Ai mund të njihet më mirë nëpër botë si babai i kompanive Tesla dhe SpaceX. Por pas pak muajsh, Elon Musk pritet të merret me shpenzimet e qeverisë amerikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti shpjegon se çfarë aftësish do të sjellë zoti Musk në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë.

Elon Musk, i njohur si truri pas kompanive SpaceX dhe Tesla, do të përqëndrohet tek shpenzimet e qeverisë në një entitet të ri që do të quhet Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), akronimi i të cilit përkon me emrin e një kriptomonedhe.

“Do t’jua heqim qeverinë nga kurrizi dhe xhepat tuaja”, deklaroi zoti Musk.

Agjencia e re DOGE synon të shkurtojë rreth 2 trilionë dollarë shpenzime, pra rreth një të tretën e buxhetit të qeverisë, dhe tre të katërtat e punonjësve të qeverisë.

“E ardhmja do të jetë mahnitëse!”, tha Musk.

Ai nuk ka përvojë qeveritare, ashtu siç ishte edhe rasti me Donald Trump-in kur kandidoi për herë të parë. Por, kompanitë e tij SpaceX dhe Tesla kanë rezultuar efikase, veçanërisht me riorganizimin e linjës së prodhimit të makinave Tesla. Gjatë pandemisë COVID-19, zoti Musk zhvendosi zyrat qendrore të Teslas nga Kalifornia në Teksas, duke fajësuar rregulloret e tepërta dhe kostot e larta.

Ai dhe bashkëkryetari i agjencisë së re DOGE-s, sipërmarrësi miliarder Vivek Ramaswamy, pritet të ndjekin një proces të ngjashëm dhe të eliminojnë shumë rregullore federale. Për të reduktuar kostot, entiteti i ri DOGE do të sugjerojë mbylljen e disa agjencive dhe do të ndërmarrë hapa për të nxitur dorëheqjet masive të punonjësve federalë duke i dhënë fund programeve popullore të punës në distancë dhe duke zhvendosur disa zyra jashtë Uashingtonit.

“Do t’u duhet të mësojnë dhe të kuptojnë se presidenti nuk është mbret – ose të paktën nuk supozohet të jetë në këtë vend – dhe se do të përballen me probleme kushtetuese. Do të përballen me ligjet dhe nevojën për autorizim nga Kongresi”, thotë sindikalisti Steve Lenkart, nga Federata Kombëtare e Punonjësve Federalë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related