Më 17 dhjetor, ministrat e BE do të zhvillojnë takimin e radhës ku do të diskutohen disa nga çështjet më të rëndësishme, përfshirë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Gjatë këtij takimi, pritet t’u bëhet edhe një herë thirrje të dyja palëve për zbatimin e marrëveshjeve të dala nga dialogu, të cilat deri tani nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët. BE ka përgatitur një draft të zgjeruar, ku si pikë kryesore theksohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Dokumenti përmban disa detyrime kyçe nga të cilat varet rrugëtimi evropian i Kosovës dhe Serbisë. Vëmendje të veçantë merr veriu i Kosovës, veçanërisht pas sulmit të fundit në kanalin e ujit Ibër-Lepenc në Zubin Potok. Për këtë incident, Kosova ka akuzuar Serbinë, e cila në deklaratat zyrtare mohon përfshirjen në këtë ngjarje.
