Avokati i njohur, Idajet Beqiri, i cili me denoncimin e tij në SPAK fundosi ish-presidentin Ilir Meta dhe deputeten Monika Kryemadhi paralajmëron të tjera telashe për çiftin që është në proces divorci. Në një reagim për gazetën “SOT”, Z.Beqiri tregon se prokurorët specialë do të nisin sekuestrimet e pasurisë së dyshes Meta-Kryemadhi. Sipas tij, pas operacionit në vilat te Kodra e Diellit, radhën e ka Gjiri i Lalzit, më pas pasuritë e tyre në Londër, por edhe pronat që dyshohet se i kanë vendosur te emra të tjerë “VIP”. Sipas avokatit, të gjithë bashkëpunëtorët e tyre do të fundosen, duke iu sekuestruar e gjithë pasuria, por edhe mund të përfundojnë në burg.
“Ka filluar kjo punë dhe do thellohet edhe me tej. Po nisin sekuestrimet te Ilir Meta. Do vazhdojnë në Gjirin e Lalzit. Do vazhdojnë hetimet dhe nuk do t’i gëzojë dot ato 40 asetet që kanë në Londër, pavarësisht se në emrin e kujt i kanë vendosur. Meta ka korruptuar njerëz të artit. Pasuria e tyre do të sekuestrohet madje disa prej tyre rrezikojnë burgun. Është hapur loja në mënyrë perfekte. Tani do të dëgjojmë arrestime në nivele të larta. Pas qafe tani e kanë gjithë ata që në një mënyrë dhe një tjetër kanë bërë krime në këtë vend. Zinxhirit i është hequr hallka. Tani të gjithë bashkëpunëtorët që kanë qenë pjesë e korrupsionit të pushtetarëve të lartë do të goditen. Kjo do të ndodhë falë ndihmës së denoncimeve të qytetarëve, SHBA, BE, si dhe ndihmës së SKY e Matrix”, u shpreh avokati Idajet Beqiri.
Monika Kryemadhi ankimon vendimin e sekuestros se dy vilave
“Zbarkimi” i SPAK te pasuritë e çiftit ka alarmuar Kryemadhin. Ish-bashkëshortja e presidentit të Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, ku ka qëndruar gati dy orë. Kryemadhi është shoqëruar sërish nga vajza e saj. Mësohet se ajo shkoi për të ankimuar vendimin e sekuestros se dy vilave njëra në pronësi të saj e tjetra në pronësi të mamasë së saj, të cilat u sekuestruan nga SPAK. GJKKO ka caktuar ndaj Monika Kryemadhit masës e sigurisë detyrim paraqitje.
Ish-kryetarja e LSI-së, aktualisht deputete e PL-së, Monika Kryemadhi po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Po për këtë dosje po hetohet bashkëshorti i saj, Ilir Meta, me të cilin është në proces divorci. Aktualisht Ilir Meta ndodhet në qeli, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Ndërkohë që një javë më parë deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi ankimoi vendimin e GJKKO-së që i sekuestroi dy vila tek “Kodra e Diellit”.
GJKKO ka sekuestruar një vilë tre katëshe në pronësi të Fatime Kryemadhit në rezidencën “Kodra e Diellit” në Tiranë, me sipërfaqe: kati përdhes, 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë; kati nëntokë 139 m2, kati i parë 79 m2, kati i dytë 51 m2, verande kati i dytë 27.9 m2. Ndërsa Monika Kryemadhit i është sekuestrua një vilë po në të njëjtën rezidencë, me sipërfaqe: kati përdhes 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë, kati nëntokë 139 m2, kati i parë 79 m2, kati i dytë 51 m2, verandë kati i dytë 27.9 m2. Vendimi i Gjykatës së Posaçme është ekzekutuar nga policia gjyqësore në datat 19 dhe 20 Nëntor 2024, duke vendosur bllokimin e pasurive në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe duke ua komunikuar këtë vendim pronarëve të pasurive.
