Marrëdhëniet e kryeministrit Rama me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregojnë se janë marrëdhënie interesi dhe jo marrëdhënie parimore dhe vlerash. Rama ka përzgjedhur një sjellje servile dhe klienteliste me SHBA. Vitet e fundit marrëdhëniet e kreut të qeverisë me amerikanët kanë qenë në nivelin më të ulët që mund të ketë pasur ndonjëherë një kryeministër shqiptar në raport me të vetmin aleat strategjik që ka pasur kombi ynë në 30 vitet e fundit. Por Rama ka bërë një kthesë 180 gradë me ndërkombëtarët sa i përket reformës në drejtësi. Deklarata e Edi Ramës në emisionin e Blendi Fevziut, se amerikanët sollën ‘Noc Rrokun’ dhe jo drejtësinë, ishte në mënyrë literale deklarata e luftës së tij me Uashingtonin.
Tashmë qëndrimi i tij ka ndryshuar. Rama ka pranuar ditën e djeshme gjatë takimit të nivelit të lartë me praninë e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, për procesin e thellimit të reformave të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsioni se reforma në drejtësi është bërë në bashkëpunim me SHBA dhe BE. Ai tha se reforma në drejtësi është produkt kryesisht i vullnetit të Partisë Socialiste, por ndryshe nga herët e tjera Rama u shpreh se kontributi i ndërkombëtarëve është thelbësor. “Konsiderojnë akuzat si hudhra që do të pengojnë syrin e keq dhe duke vazhduar me të gjithë të tjerët që PS forca që qeveris vendin prej 2013 është forca udhëheqëse e reformës në drejtësi. Pa këtë forcë udhëheqëse dhe pa vullnetin e PS jo Amerika, jo Evropa, por të gjithë të tjerët të bëheshin bashkë nuk do ta kishin bërë të mundur reformën në drejtësi. Pa mbështetjen e aleatëve strategjike kjo reformë do të kishte rrugë tjetër dhe do të ishte e pamundur”, tha ndër të tjera Rama.
Bllokimi i SPAK
Kryeministri iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, se po tenton të bllokojë SPAK, duke thënë se nuk kanë kohë të merren me akuzat. “Ambicia jonë është ta anëtarësojmë Shqipërinë brenda kësaj dekade, shtuar këtu dhe plani i dakordësuar, shumë agresive së bashku me KE, që Shqipëria t’i përfundojë të gjitha detyrat brenda vitit 2027, na e bën të pamundur të jetojmë qetësisht, me skepticizmat, dyshimet, lëre pastaj me akuzat apo përpjekjet për ta penguar procesin. Dhe u gjet një fjalë magjike që të dëgjoni se Fatmir Xhafa dhe Edi Rama kanë plan të errët për të bllokuar SPAK dhe kthyer përmbys reformën në drejtësi, prandaj bëjnë mbledhje sekrete në partinë socialiste dhe po thurin një komplot.
Natyrisht që kur përmend SPAK dhe drejtësinë ka sensibilitet dhe forca që angazhohen për të dalë menjëherë në mbrojtje. Nuk e kisha të mundur ta evitoja këtë çështje këtu, se dua t’ia kujtoj të gjithëve, duke filluar nga miqtë tanë të respektuar, aleatët tanë strategjik, të gjithë ata që janë përfshirë në proces si ekspertë të shoqërisë civile, të gjithë atyre që hëngrën të shara dhe s’e kishin imagjinuar se do i dëgjonin ato gjëra. Dhe u them mos i kini merak, konsiderojini si hudhra për të penguar syrin e keq, për të mos ju marrë mësysh”, u shpreh Rama.
