Në një atmosferë të tensionuar politike, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut do të mblidhen të mërkurën, më 11 dhjetor, për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e disa dispozitave të Ligjit për gjuhët, i cili u miratua në vitin 2018 dhe hyri në fuqi një vit më vonë.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mxhiti, i cili vjen nga koalicioni shqiptar VLEN, siguroi gjatë një konference për shtyp të martën se Ligji për gjuhët “nuk do të preket”.
“Ne si VLEN thamë se ligji nuk do të preket, Gjykata Kushtetuese e vërtetoi këtë. Ka dalë dokumenti që nuk preket as Ligji për gjuhët, po as përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Të njëjtën e tha edhe kryeminsitri, si dhe kryetarja e shtetit”, tha Mexhiti.
Më herët, gjatë javës së kaluar, Mexhiti njoftoi se gjyqtarët shqiptarë në gjykatën Kushtetuese do ta bojkotonin seancën e 11 dhjetorit, me çka pohoi se “vendimi nuk mund të ketë legjitimitet”.
