Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar lidhur me akuzat e Sali Berishës dhe hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Erion Veliaj, në një postim në rrjetet sociale, deklaroi se është totalisht në dispozicion të hetimit dhe shprehu bindjen se në fund e vërteta do të triumfojë.
“Për mua SPAK-u është institucion kushtetues i vendit tim dhe unë jam totalisht në dispozicion të hetimit, i bindur se, në fund, e vërteta do të triumfojë. Jam po aq i bindur në të drejtën time dhe shpresëplotë në profesionalizmin dhe pavarësinë e këtij institucioni kushtetues”, theksoi kreu i Bashkisë Tiranë.
Veliaj theksoi se nuk jeton as në vila të pajustifikuara dhe as nuk ka apartamente të padeklaruara, siç theksoi ai, “si hienat dhe plot nga korbat që më sulmojnë nga dita e parë e kësaj detyre”.
“Nuk kemi as llogari në Qipro apo kudoqoftë tjetër, dhe as transferta të majme dhe të padeklaruara për ndërhyrje estetike, si po këta që, kur i kap SPAK-u është Skap, ndërsa kur duan të linçojnë të tjerët në publik është SPAK”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Erion Veliaj komentoi kontrollet e Prokurorisë së Posaçme, duke u shprehur se: “Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kushedi se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radha e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve.”
Kryebashkiaku i Tiranës komentoi akuzat e kryedemokratit Sali Berisha, duke e quajtur “një hienë të xhindosur, që ka helmuar dhe fatkeqësisht, vijon ende ta helmojë e ta përçajë këtë vend prej 34 vjetësh.”.
