Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme kërkon shpjegime shtesë mbi aplikimin e bërë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit për rritjen e tarifës së transmetimit. Rritja e kërkuar është në masën 45%, duke shkuar në 1.22 lekë/kWh nga 0.85 lekë/kWh, që është aktualisht, ndërkohë që, përmes një shkrese të depozituar pranë Entit Rregullator të Energjisë, shoqata që përfaqëson prodhuesit e energjisë e konsideron të paqartë kërkesën për aplikimin e kësaj tarife për të gjithë përdoruesit e rrjetit.
“Nuk thuhet qartë nëse kjo do të përfshinte edhe prodhuesit e energjisë. Për këtë kërkojmë të sqarohet se çfarë ka dashur të thotë me përdorues rrjeti, ndërkohë që në tarifat e transmetimit përjashtohen eksporti, aksesi në rrjet i energjisë së prodhuar”, – thuhet ndër të tjera në shkresë. Shoqata e konsideron si të paargumentuar kërkesën për rritje, pasi është e pambështetur nga pasqyrat financiare, ndërsa nuk jepet një analizë mbi ndikimin që do të kishte ky ndryshim në aktorët e tjerë që janë pjesëmarrës të tregut të energjisë, furnizuesit dhe së fundmi konsumatorët. Po ashtu, ngrihen shqetësime në lidhje me tregun e balancimit.
“Vemë re se megjithëse OST ka siguruar të ardhura jo të vogla nga tregu i balancimit (të ardhura këto që duhet të ishin shpërndarë sipas rregullave) ne vuajmë akoma nga një mungesë transparence të të dhënave për tregun e balancimit. Pjesëmarrësit nuk kanë informacion sa duhet për çmimin e disbalancave, sasive dhe çmimeve të ankandeve, gjë e cila e bën të pamundur hartimin e modeleve për të llogaritur çmimet e disbalancave për ditët në vijim apo brenda ditës”, – thuhet në shkresë. Më herët ndryshimet e kërkuara u kundërshtuan edhe nga Shoqata Shqiptare e Furnizuesve të Energjisë Elektrike. Në aplikimin e dorëzuar pranë ERE-s, OST kërkon aplikimin e tarifës prej 0.95 lekë/kWh për “përdoruesit e rrjetit”, çka sipas shoqatës qartazi kërkon tarifimin e aktivitetit të tregtimit të energjisë, që përfshin importin, eksportin, tranzitimin dhe tregtinë e energjisë elektrike në rrjetin e brendshëm.
