Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalimit të mbajtur në aktivitetin e Ditës së Rinisë në Qytet Studenti u ndal edhe tek situata aktuale politike.
Sipas Berishës, sot Shqipëria ndodhet në kushtet e një diktature të re, që është forma më e keqe e diktaturave, e lidhur me bandat. Lideri demokrat deklaroi se kjo diktaturë u konsolidua edhe më tej gjatë tre viteve të fundit me mbështetjen e perandorisë së George Sorosit.
Berisha tha se sot perandoria e së keqes e George Sorosit ka marrë një goditje fatale, por sërish Shqipëria është ende në një diktaturë, që sipas tij, do të rrëzohet në zgjedhjet e 11 Majit.
Lideri demokrat shtoi më tej se më 11 Maj do të pastrojnë “shtëpinë” që Zoti të hyjë sërish brenda, teksa premtoi se qeveria e PD në programin e saj në epiqendër do kenë të rinjtë shqiptarë. Ai bëri thirrje që mosbindja civile të vazhdojë.
Sali Berisha: Sot ne nderojmë këtë ngjarje të madhe në kushtet e një diktature të re, të një diktature, sado mund të çudisë, por studiuesit më të mëdhenj të diktaturave e kanë quajtur këtë lloj diktature formën më të keqë të diktaturave, mobokraci, apo diktatura e bandave, dhe kjo është e vërteta. Shqipëria sot, përjeton një diktaturë. Një diktaturë, në të cilën të gjitha pushtetet janë në dorë të një njeriu, të padrinos së shqiptarëve, të një antishqiptari që nuk njeh ligj, Kushtetutë, as moral. Një diktaturë, e cila, procesi zgjedhor, zgjedhjet i ka shndërruar në një fasadë, në një farsë. Një diktaturë, e cila ka rikthyer në Shqipëri burgjet, arrestimet politike.
