Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës në dokumentin për Shqipërinë pas takimit të 44, të mbajtur në Strasburg nga data 2 deri në 6 dhjetor shpreh “keqardhje të fortë” për vijimin e punimeve në aeroportin e Vlorës dhe “shqetësim të thellë” lidhur me ndryshimet e fundit në Ligjin e Zonave të Mbrojtura nga qeveria shqiptare.
Dokumenti për Shqipërinë erdhi pas shqyrtimit nga Komiteti më 4 dhjetor të dy raporteve, atij të qeverisë shqiptare dhe raportit të dy organizatave mjedisore shqiptare (EcoAlbania dhe PPNEA) në rolin e ankuesit, lidhur me ndikimet në Lumin Vjosë dhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Komiteti i Konventës së Bernës shpreh “keqardhjen e fortë që ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës vazhdoi pavarësisht nga dispozitat e qarta të Rekomandimit Nr. 219 (të vitit 2023) dhe thirrjet e përsëritura nga Komiteti i Bernës për të pezulluar ndërtimin e aeroportit deri sa të kryhen Vlerësimet e duhura të Ndikimit në Mjedis (VNM).”
Komiteti i Bernës gjithashtu shpreh “shqetësim të thellë se ligji i ri për Zonat e Mbrojtura mund të bie ndesh me parimet dhe detyrimet e parashikuara në Konventën e Bernës, duke lehtësuar potencialisht shkeljet e dispozitave të saj”. Komiteti kërkoi “rishqyrtim për të siguruar përputhjen me Konventën”.
Komitetit i Konventës së Bernës shpreh më tej në dokumentin për Shqipërinë “keqardhje për vendimin e qeverisë shqiptare për autorizimin e aktiviteteve shtesë në peizazhet e mbrojtura dhe heqjen e zonave, pasi kjo do të përbëjë kërcënime të rëndësishme për mbrojtjen e biodiversitetit”.
