Ligji për faljen e gjobave i propozuar ditën e sotme në Kuvend nga mazhoranca, ishte tema e diskutimit këtë mbrëmje në një emision televiziv.
Panelistët e shohin në dy këndvështrime këtë nismë, si një nismë të mirë por të vonuar, dhe si një nisme tërësisht elektorale.
Sipas analistit Arjon Sulo, kjo është një tallje e qeverisë ndaj atyre personave që janë gjobitur për ndërtimin e një çatie apo një muri rrethues.
“Është kurth politik i poshtër, në kufijtë e talljes dhe poshtërimit të atyre mijëra shqiptarëve që janë gjobitur deri me 20 mln lekë të vjetra për një çati apo për një mur. Është tallje me njerëzit dhe është për qëllime elektorale”, tha Sulo.
Nga ana tjetër Alban Dudushi tha se opozita ra në kurth sot nga pozita, pasi u duk sikur nuk do ta votojë këtë ligj vetëm se është propozuar nga PS.
“Ne ende nuk e kemi parë ligjin, por i rrimë në parim. A biem dakord që ky është një ligj elektoral? Më shumë sesa një ligj elektoral, në këtë situatë që jemi, mendoj se është një taktikë elektorale që e ka përdorur sot mazhoranca dhe ka futur në kurth opozitën. Krijoi idenë që vetëm pse e ka propozuar mazhoranca, ata do ta votojnë kundër. Nga zelli i tepërt bie në kundërshtim nga ato që ka thënë deri tani për këto gjoba. Me mënyrën si ata u sollën sot në Kuvendit, ia dolën që ta nxjerrin opozitën “si budallaqe””, u shpreh Alban Dudushi.
