Në zonën naftënxjerrëse më të vjetër të Shqipërisë, në Kuçovë, autoritetet mjedisore kanë zhvilluar vetëm një kontroll mjedisor në dy vjet dhe kanë vendosur vetëm një gjobë për kompaninë publike Albpetrol, ndonëse ndotja në mjedis është e dukshme dhe banorët ankohen prej vitesh.
Është fillim i ftohtë dhjetori, por aroma e fortë e naftës dhe e gazit të shpon hundët sapo hyn në lagjen ‘’Rreth Tapi” të Kuçovës. Puset e naftës që ndodhen në lagje – në disa raste edhe brenda oborreve të banesave – rrjedhin vazhdimisht gjatë kohës që vendosen në punë.
‘’Po ja shikoje si është bërë rreth pusit, ‘lumë’ me naftë ndaj vjen kjo erë”, tha një banor i lagjes ndërsa kullot disa krerë dhi në lagje.
Rreth Tapia, lagjja hyrëse e Kuçovës është e mbushur me banesa të reja, por në zonë shikon pak aktivitete private. Një bar-kafe e vogël në hyrje të lagjes është mbyllur prej kohësh dhe ka lënë pak shenja të shërbimit me disa tavolina dhe karrige të braktisura në oborr.
“Çfarë aktiviteti mund të bësh në një vend ku ndotja nga nafta vazhdon dhe askush nuk pyet për këtë”, thotë i nevrikosur Servet Tushe, pronar i një pike të vogël servisi ndodhur në krye të rrugës kryesore.
