Zv.kryeministrja dhe njëkohësisht Ministrja e Infrastrukturës, reagoi fort, po pa asnjë fakt, lidhur me dyshimet e ngritura në dy shkrime radhazi të publikuara së fundmi në median gjermane “focus.de”, ku ngrihen pikëpyetje mbi tjetërsimin e kontratës koncesionare të operimit në terminalin e kontenierëve, në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit.
Në një reagim në rrjete sociale pasditen e kësaj të Hëne (2 dhjetor 2024), Balluku foli për njerëz që “po luftojnë kundër projektit strategjik të Portit të ri, Durrës” dhe që po “luftojnë kundër fuqizimit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si pjesë integrale e portit të ri, nëpërmjet porteve të thata”, duke “eksportuar baltë në media të huaja, për t’u dukur më të besueshëm kur e hedhin pastaj këtu”.

Përtej tekstit me fjalor tipik të “hartimeve” dhe që ngjan si dy pika uji me reagimet e kryeministrit Edi Rama pas publikimit të përgjimeve të dosjes “339” në gazetën gjermane “Bild”, ministrja Balluku nuk u dha përgjigje asnjë prej dyshimeve të ngritura në raportimet e “Focus.de” dhe të tjera që ngrihen pas atyre shkrimeve.
