Pak ditë më parë në Tepelenë, në një sallë të mbushur me socialistë dhe fare pak të ndryshëm, Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit, arriti në një konkluzion të posaçëm. Ajo deklaroi: …gjatë viteve të vështira të tranzicionit, Vjosa u ruajt, sepse njerëzit e braktisën për mungesë vizioni nga të gjitha qeveritë. “Ruajtja” nuk mund të merret e mirëqenë, ndërkohë që togfjalëshi “mungesa e vizionit”, është një fakt që pranohet botërisht.
Ka shumë diskutime për Vjosën, por me shpalljen e lumit park kombëtar vitin e shkuar, Kumbaro dhe qeveria së cilës ajo i përket premtuan se do të tregohen largpamës. Por, siç thotë populli: “nga e thëna në të bërë shkon në mes një lumë i tërë”. Sikurse shtrati, problemet e Vjosës janë të gjera dhe të thella, ndaj dhe energjitë e autoriteteve po shkojnë tek e thëna, jo tek e bëra, ende larg zbatimit të një vizioni të ardhshëm.
Vjosa Park Kombëtar nuk është ende e tillë; thjesht u morr vendimi për t’u bërë. Ujërat e ndotura urbane dhe ujërat e zeza vijojnë të derdhen në të. Minierat e Selenicës vijojnë nxjerrjen dhe përpunimin e zhavorrit bituminoz, duke depozituar një pjesë të mineralit dhe të skorjeve në “nën-zonën qendrore” të Parkut. Diku më lart, në Shushicën e Sipërme, një prej burimeve të lumit rrezikon të devijojë për të furnizuar ujësjellësin e Himarës. Afro dy vite pas shpalljes, Parkut i mungon drejtori dhe një staf i dedikuar menaxhimi.
Kumbaro thotë se rruga drejt Parkut është proces. Kështu po thonë edhe disa organizata jofitimprurëse. Por kur do të përfundojë ky proces? Askush nuk e thotë.
