Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka hedhur akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjatë një interviste për mediat, Basha ka zbardhur pazaret e fshehta midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, duke i cilësuar ata si dy fytyra të të njëjtës monedhë, që po mbajnë peng të ardhmen e Shqipërisë. Sipas Bashës, kjo aleancë është një bashkëpunim për interesa të ngushta, që nuk i shërben aspak zhvillimit të vendit.
Ndërkohë Basha foli edhe për lirimin e Sali Berishës, që sipas tij, është pjesë e marrëveshjes me Ramën. Basha u shpreh se bashkëpunimi mes tyre ka kaluar në disa etapa dhe një nga etapat është edhe lirimi i ish-kryeministrit. Sipas tij, Berisha i duhet Ramës për luftën kundër SPAK. Po ashtu, ai paralajmëron shkërmoqjen e “Trekëndëshit të Bermudës”, një term që përshkruan marrëveshjet dhe manipulimet e fshehta mes liderëve kryesorë “Rama-Berisha-Meta”, që sipas tij, kanë dëmtuar dhe penguar integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Sakaq Basha theksoi se Shqipëria duhet të shkojë përpara dhe të lërë pas dyshen që nuk kanë më asgjë për të dhënë.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha ka zbuluar se demokratët euroatlantikë janë alternativa e vetme për qytetarët shqiptarë, duke ofruar një shpresë të re për një të ardhme të bazuar në vlera perëndimore dhe shtetin ligjor. Sipas tij, është koha për të refuzuar këta njerëz me votë, ndërsa theksoi se Demokratët Euroatlantikë ofrojnë një alternativë të fortë me 140 kandidatë të rinj, të cilët kanë qëndruar besnikë interesave të qytetarëve dhe jo atyre personale. Më poshtë po pasqyrojmë një pjesë të intervistës së kreut të Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha.
Marrëveshjet Rama-Berisha
Nga pikëpamja politike, thashethemi ka nisur që në fillim të vitit se do të kishte një pakt midis zotit Ram dhe zotit Berisha, i cili do të kishte disa etapa. Etapa e parë u konkretizua për fat të keq që ishte lirimi i të korruptuarve të Edi Ramës me kartonat e Sali Berishës. Etapa e dytë ishte kalimi i vulës tek Sali Berisha në shkelje flagrante të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe të ligjit shqiptar për partitë politike. Etapa e tretë ishte vota për të mbyllur listat, për t’i diktuar shqiptarëve lista të mbyllura me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe etapa e katërt është goditja frontale por edhe me krahëmarrje ndaj SPAK që përbën sot kërcënimin më të madh dhe gjumëprishësin më të madh të Edi Ramës dhe kabinetit të tij qeveritar.
Dhe për këtë i duhet të përdor këdo, sigurisht edhe njerëz që përballen tashmë me SPAK-un, siç është edhe Sali Berisha. Fakti është që prokuroria ka kryer hetimin, ka përfunduar hetimin dhe ka çuar dosjen në gjykatë. Gjykimi i çështjes me sa di nis në mes të dhjetorit, është caktuar nisja e gjyqit për çështjen për të cilën akuzohet zoti Berisha. Kështu që nuk do të presim zbardhjen e vendimit, por nuk do të ishte e çuditshme nëse gjykata do të argumentonte që pas përfundimit të hetimit, ka përfunduar edhe nevoja për masa shtrënguese ndaj zotit Berisha, duke qenë që ai do të përballet me procesin gjyqësor. Nuk dua të vendosem në pozita spekulimi sa i takon vendimeve të gjykatave. Fakti është që zoti Rama dhe zoti Berisha kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë. Por nga ana tjetër shpresa është e madhe që SPAK përfshirë GJKKO do të vazhdojnë që çdo çështjeje t’i aviten me integritet dhe duke pasur si bazë për çdo vendimmarrje ligjin dhe vetëm ligjin.
Nuk i takoj asaj kategorie njerëzish që kanë zgjedhur të bëjnë pazar me fatin e Sali Berishës. E di që ka shumë që hiqen si të lumtur por që u ka rënë pika, e kam fjalën për radhët e tij. E di që ka dhe të tjerë që e kanë lidhur ekzistencën e tyre politike me është apo s’është në arrest Sali Berisha. Të dy këto kategori meritojnë neverinë time në kuptimin politik të fjalës. Sepse janë njerëz të cilët e kanë lidhur ekzistencën e tyre politike, madje dhe ekzistencën e tyre njerëzore me çfarë ndodh me Sali Berishën. Shqipëria duhet të shkojë përpara, duhet të ecë përpara. Dhe që të ecë përpara duhet të lërë mbrapa Edi Ramën, Sali Berishën të cilët jo vetëm nuk kanë çfarë t’i japin më Shqipërisë, por qartësisht për interesat e tyre bashkëpunojnë kundër interesave të shqiptarëve.
