Mësohet se trajneri i ekipit, Ivan Gvozdenoviç pas përfundimit të ndeshjes i ka paraqitur dorëheqjen presidentit Ardjan Takaj, ku burime për mediat bëjnë me dije se ky i fundit ia ka pranuar.
Tekniku serb largohet pas rreth dy vitesh në krye të ekipit juglindor, kur u zyrtarizua në nëntor të vitit 2022. Në atë kohë Skënderbeu ndodhej në Kategorinë e Parë, ku Gvozdenoviç arriti që ta shpallte kampion. Në sezonin pasardhës, Skënderbeu arriti të surprizonte dhe në Kategorinë Superiore, duke arritur të kapte në një vend për në “Final Four”.
Gjithsesi, këtë sezon duket se situata nuk është e mirë, pasi Skënderbeu ka arritur të grumbullojë vetëm 13 pikë në 15 javë kampionat dhe pas humbjes së djeshme përfundoi në vendin e fundit të tabelës së renditjes, me pikë të barabarta me Bylisin.
Humbja me Laçin duket se ka sjellë edhe dorëzimin e Ivan Gvozdenoviç, i cili ka dhënë dorëheqjen nga stoli i “Ujqërve të Dëborës”, ekip me të cilin vite më parë është shpallur edhe kampion si futbollist.
