Përkundër motit të keq me shi, përkrahësit e komunizmit kanë dalë edhe këtë 29 Nëntor për të bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, teksa nuk harrojnë edhe diktatorin Enver Hoxha, me të cilin Shqipëria përjetoi një prej periudha më të errëta të historisë së saj.
Me simbolet e komunizmit është festuar 80-vjetori i çlirimit nga ithtarët e komunizmit edhe në Shkodër, në ceremoninë e zhvilluar tek varrezat e dëshmorëve.
Sekretari i Partisë Komuniste Gjon Bruçi pranë bustit të ushtarit të panjohur vendosi yllin e kuq, simbol i diktaturës të Enver Hoxhës. Vendosja e yllit dhe nderimi me grushtin komunist nga përfaqësues të Partisë Komuniste u bë në praninë e drejtuesve vendorë
Në një prononcim për mediat, Bruçi tha se është e turpshme që nuk përmendet fakti se Çlirimin e Shqipërisë e bëri Partia Komuniste.
“Lufta nacional-çlirimtare u udhëhoq nga Partia Komuniste me në krye legjendarin Enver Hoxha. Të përmendësh luftën dhe të mos përmendësh Partinë Komuniste dhe shokun Enver hoxha, do të thotë të mos jesh këtu. Kjo është vërejtje dhe për shokun që ka ardhur nga Komiteti i Veteranëve. Në qoftë se nuk do ishte lufta nacional-çlirimtare, as Pavarësi dhe as liri nuk do kishim sot. Lavdi Partisë Komuniste Shqiptare! Lavdi Enver Hoxhës! Lavdi popullit shqiptar!”, tha ai.
