Sot Shqipëria feston 112-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran e të pavarur.
28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Ashtu si vitin e kaluar, në Tiranë do të organizohet Parada e shqiptarëve.
“Parada kuqezi” nis nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe do të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”. Parada do të realizohet për të dytin vit radhazi, duke i dhënë kryeqytetit rolin e një qendre të përbashkët për kremtimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.
