Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim dosjen e deputetit socialist Plarent Ndreca, i cili u mor i pandehur më 25 tetor për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Ai akuzohet për rastin e rikonstruksionit të katër komisariateve në qytete të ndryshme të vendit, në kohën kur ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.
SPAK bën me dije se bashkë me Ndrecën janë marrë të pandehur edhe 15 ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera, të akuzuar për shkelje të rënda gjatë procedurave të prokurimit publik në vitin 2019.
Kallëzimi për këtë çështje është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku ky institucion ka konstatuar se procesi kishte patur shkelje të procedurave, dyshohet se fituesi ka qenë i paracaktuar, si dhe ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.
Bëhet fjalë për rikonstruksionet e komisariateve të Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë. Hetimi për këtë çështje avancoi pas provave materiale të marra në ceularin e sekuestruar biznesmenit Gjon Radovani, i cili ka mbajtur postin si ish-zëvendës ministër pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban në Shqipëri. Është pikërisht kompania e tij, “A.P.E”, ajo që fiton tenderat për rikonstruksionin e godinave të Komisariateve.
