Këshilltarii Demokratëve Euroatlantikë në bashkinë Vlorë, Gjergji Nika, ka kritikuar projekt-vendimin e Bashkisë për dhënien me qira të 831 hektarëve kullotë në zonën Shashicë-Gumenicë për projekte energjie të rinovueshme.
Ai e cilëson këtë vendim “abuziv dhe të pasqaruar” për qytetarët dhe këshilltarët. Nika akuzon kryetarin e bashkisë për nxitim dhe për përfshirje të interesave të ngushta politike dhe ekonomike.
Ai shtron pyetje mbi transparencën e procesit dhe ndikimin në trashëgiminë kulturore dhe turizmin e Vlorës. Sipas tij, këshilltarët socialistë duhet ta kundërshtojnë këtë projekt për të mbrojtur interesat e qytetit dhe të qytetarëve.
Postimi i Gjergji Nika:
Vlora nuk është e disa “socialistëve”, që nuk janë as nga Vlora!
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është paraqitur një projekt- vendim nga Bashkia numër 18898 i datës 20.11.2024, me të cilin kryetari i bashkisë i kërkon këshillit bashkiak që 831 hektarë, sipërfaqe kullotë në zonën Shashicë – Gumenicë t’u jepen me qira për 10 vjet subjekteve që janë interesuar pranë ministrisë për ta përdorur për veprimtari fotovoltaike dhe eolike.
Ky vendim u tërhoq për dëgjesë publike dhe do të risillet në mbledhjen e muajit Dhjetor.
Projekt- vendimi në mendimin tim është totalisht abuziv dhe i pasqaruar për këshilltarët dhe qytetarët pasi bashkia thotë: “Ma jepni mua, se pastaj di unë kujt ia jap!”
Gjatë mbledhjes këshillit te rregullimit te territorit në 31 korrik 2024 u janë dhënë në zonën e Vlorës 5 firmave të shfrytëzimit të impianteve eolike dhe fotovoltaike nga 3 mw secila dhe, po këto të pesta në 13/09/2024 kanë marrë “ok” (miratimin) nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore për të lejuar vendosjen e tyre edhe pse në zona të mbrojtura.
Dua të shtroj disa pyetje!
Me çfarë tagri bashkia do të administrojë e shpërndajë si t’i dojë pronat e qytetit të Vlorës, kur asetet e bashkisë i ka Këshilli Bashkiak?
Normalisht që jemi pro investimeve, por cilido investitor shfaq interes, projektet apo propozimet i paraqet në bashki dhe bashkia i sjell në Këshillin Bashkiak për diskutim e miratim!
Pse nxiton kryetari i bashkisë?
Mos vallë për të realizuar këto projekte ka ardhur?
Përse vijnë në Vlorë?
Për të përfituar apo për të kontribuar për Partinë Socialiste?
Për të shkatërruar ekosistemin dhe gjithë trashëgiminë tonë kulturore?
Për të ndërtuar një turizëm apo ekonomi sipas modeleve, të cilat nuk janë të përshtatshme e efektive për Vlorën?
Pse nxiton bashkia ta marrë këtë parcelë dhe ta shpërndajë sipas orekseve dhe interesave të Ministrisë së Energjitikës dhe Infrakstrukturës?
