Protesta e pensionistëve dhe debati mbi pensionet duket se e nervozuan shumë kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij. Shihej qartë ky nervozizëm në fjalimin e tij në parlament me rastin e miratimit të bonusit të fundvitit për pensionistët. Akoma më në siklet dukej kryeministri në përballjen e tij me disa pensioniste tek emisioni Opinion i Blendi Fevziut më datë 31 tetor, 2024.
Ishte e shëmtuar mënyra se si kryeministri ynë dy metrosh i bërtiste dhe i hakërrehej disa pensionisteve në studio sepse nuk bindeshin nga mrekullia ekonomike e rilindjes. I rrethuar nga njerëz që prej vitesh i bëjnë fresk egos së tij në shkëmbim të pushtetit dhe parasë kryeministri ynë socialist duket se kish harruar se si të komunikonte me shtresat në nevoj.
Pyetjes së thjeshtë të një pensionisteje “si mund të jetoj unë me 200 mijë lekë pension në muaj?” kryeministri i përgjigjej, “kemi dyfishuar Prodhimin e Përgjithëshëm Bruto (PPB-në) në vetëm dhjetë vite”. Natyrisht që shpjegimi nuk i bindi aspak pensionistet. Përkundrazi të gjitha arritjet e qeverisë e bënin akoma më misterioze mungesën e rritjes së pensioneve me të njëjtin ritëm si të ardhurat për frymë (të trefishuara), PPB-ja dhe buxheti i shtetit.
Pikërisht këtu buron nervozizmi që shkakton çështja e pensioneve për qeverisjen aktuale. Niveli mjeran i pensioneve thërrmon “mrekullinë ekonomike” të rilindjes për dy arësye. Së pari, debati i pensioneve tregon qartë se rritjet ekonomike me të cilat mburret qeveria Rama janë nominale më shumë se reale. Shpesh ato reflektojnë më shumë inflacionin (dhe rënien e popullsisë) se sa rritjen e fuqisë blerëse për shumicën e qytetarëve.
