Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel shpalos pikëpamjet e saj lidhur me politikën globale, veçanërisht për luftën Rusi-Ukrainë dhe ndërhyrjen e perëndimit në konflikt.
Në një intervistë për BBC ish-kancelarja gjermane tha se marrëveshjet e gazit që ajo bëri me Rusinë kishte për qëllim të ndihmonte firmat gjermane si edhe të ruante paqen me Moskën.
Merkel insistoi se lufta me Ukrainën do të kishte filluar më herët nëse ajo nuk do të kishte bllokuar hyrjen e Kievit në NATO në 2008.
Gruaja e Hekurt, Angela Merkel udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet.
Ajo mbajti këtë pozicion gjatë krizës financiare, krizës së emigrantëve të vitit 2015.
Nëse Merkel nuk do të kishte bllokuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO në 2008, a do të kishte një luftë atje tani?
Lidhur me këtë pyetje Merkel tha se beson se lufta në Ukrainë do të kishte filluar më shpejt dhe ka të ngjarë të ishte më e keqe, nëse Kievi do të kishte nisur rrugën drejt anëtarësimit në NATO në 2008.
“Ne do të kishim parë një konflikt ushtarak edhe më herët. Ishte plotësisht e qartë për mua se presidenti Putin nuk do të kishte qëndruar duarkryq dhe të shihte Ukrainën të bashkohej me NATO. Dhe në atë kohë, Ukraina si vend me siguri nuk do të ishte aq e përgatitur sa ishte në shkurt 2022”, tha Merkel për BBC.
Sakaq presidenti aktual i Ukrainës Volodymyr Zelensky nuk është dakord me pikëpamjet e Merkel.
Ai e përshkruan vendimin e zonjës Merkel në NATO, të mbështetur nga presidenti i atëhershëm francez, Nicolas Sarkozy, si një “llogaritje të gabuar” të qartë që “i dha zemër Rusisë”.
