Pjesëmarrja e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Panairin ndërkombëtar të verës, rakisë dhe turizmit në Serbi, ka rikthyer polemikat dhe mosmarrëveshjet për iniciativën “Ballkani i Hapur”. Nga partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, përmes një konference për media të shtunën kritikuan kryeministrin Mickoski dhe koalicionin shqiptarë “VLEN”, pjesë e Qeverisë maqedonase, për qëndrime kontradiktore lidhur me këtë iniciativë. Kryeministri Mickoski, i cili po qëndron në Beograd që nga dita e premte, e cilësoi këtë ngjarje si një mundësi për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimin mes vendeve të përfshira në iniciativë.
“Iniciativa rajonale krijon mundësi që e lidhin rajonin tonë me botën, dhe pikërisht kjo platformë është një shembull se si tradita dhe inovacioni mund të ecin dorë për dorë”. “Panairi “Wine Vision nga Open Balkan” nuk është vetëm vend ekspozimi dhe degustimi”, tha Mickoski të premten, duke shtuar se është “edhe forum për diskutim, edukim dhe bashkëpunim që do të sjellë përfitime afatgjata”. “Jam i sigurt se suksesi i përbashkët që do të ndajmë këtu do të jetë vetëm fillimi i arritjeve edhe më të mëdha në të ardhmen”, shtoi kryeministri Mickoski. Vizita e Mickoskit në Beograd përfshiu takime me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin, Millosh Vuçeviç. “Jam falënderues për faktin që Maqedonia e Veriut është një nga partnerët kyçë në iniciativën Ballkani i Hapur, i cili u bë simbol i bashkëpunimit të fuqishëm dhe lidhjes së Ballkanit Perëndimor”, thuhet në profilin zyrtar në Instagram të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç
