Një dosje hetimore e hapur nga Prokuroria e Gjirokastrës dhe AMP-ja e Vlorës, ka nxjerë zbuluar aktivitetin kriminal të shefit të krimeve në policinë e Qarkut dhe disa prej policëve të kësaj drejtorie.
Veç implikimit të shefit të krimeve, Alfred Kondit, në linjat e trafikimit të klandestinëve dhe kontrabandës së mallrave, ai është implikuar dhe në organizimin e pikave të basteve.
Hetimi i kryer nga zv/drejtuesi i prokurorisë Gjirokastër, Gazmend Frëngu, ka provuar se njeriu që zotëronte një pikë bastesh sportive ishte pikërisht djali i punonjësit të policisë Alfred Kondi, shtetasi Juxhin Kondi që thirret shkurtimisht “Xhino”.
Në pikën e bastit të “Xhinos” luanin jo vetëm qytetarë të thjeshtë po edhe punonjës të policisë, kolegë të shefit të krimeve Alfred Kondi.
Gjithashtu hetimi provoi se Kondi dhe agjenti Feim Onjea kanë shpërdoruar autoritetin e policisë, pasi kanë shkuar tek kompania “Elka” dhe kanë marrë prej saj një arkë me 6 shishe verë të kuqe.
