Vr*sja e 14-vjeçarit Martin Cani na tronditi të gjithëve si shoqëri. Të gjithë jemi të prekur thellë dhe po përpiqemi të reflektojmë mbi këtë ngjarje të rëndë. Të gjithë, thellë brenda vetes, si të mirët, ashtu edhe të ligët e kësaj shoqërie, na bashkon një gjë: askush prej nesh nuk dëshiron që kjo ngjarje të përsëritet.
Megjithatë, po të bëjmë një analizë të qetë dhe pa emocion, duhet të pranojmë një të vërtetë të dhimbshme: Martinin e vramë të gjithë ne, nga pak.
Martinin e vrau politika
Sistemi politik në Shqipëri ka shkëlqyer në prodhimin e një modeli politikani gdhë, arrogant, të dhunshëm, të korruptuar, shpesh të përfshirë në skandale të turpshme, i cili ka në prioritet interesat e ngushta personale: si të krijojë një karrierë dhe një jetë më të mirë për veten e tij, duke u pasuruar në kurriz të të tjerëve. Në shumicën e rasteve, politikanët tanë bëjnë “estradë” para popullit, ndërsa bëjnë marrëveshje nën rrogoz për interesa personale, pa mbajtur asnjë premtim elektoral. Ky model u është ofruar dhe vazhdon t’u ofrohet të rinjve, të rejave dhe të moshuarve shqiptarë, të cilët në shumicën e rasteve nuk shohin asnjë dobi nga përfshirja në sistemin politik ekzistues. Nëse vendosin të përfshihen, janë të detyruar të ndjekin këtë lloj shembulli, dhe faktet nuk tregojnë ndryshe.
