Berisha dhe Meta thërrasin protesta, ish-presidenti udhëzimi nga burgu për të…

Data

Sali Berisha, lider i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministër, vazhdon të bëjë thirrje për protesta, me pretekstin se ka një “diktaturë” të ngritur nga qeveria aktuale, ndërsa dje ftoi popullin të dalë në rrugë më 26 nëntor. Ndërkohë, akuzat për korrupsion pasiv në lidhje me aferën “Partizani”, por edhe nisur nga fakti se Gjykata Kushtetuese i dha dy ditë më parë një goditje, duke i refuzuar lirinë, e kanë mbyllur zotin Berisha në një rreth të ngushtë, ku çdo thirrje për protesta duket gjithnjë e më e pamundur për t’u mbështetur nga qytetarët. Populli shqiptar ka kuptuar që koha për të protestuar për Berishën ka kaluar dhe shumë prej tyre janë lodhur nga përdorimi i vazhdueshëm i thirrjeve për protesta për arsye që lidhen vetëm me interesat e tij të ngushta, të cilat nuk përputhen më me kërkesat dhe nevojat reale të shoqërisë.

Nga ana tjetër, Ilir Meta, ish-president dhe kreu i Partisë së Lirisë, ndodhet në një situatë më të vështirë, duke u mbajtur në burg dhe akuzuar për korrupsion të kryer në bashkëpunim, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Kjo ka nxitur një tjetër thirrje për protestë, të cilën Meta e ka organizuar përmes një letre të dërguar mbështetësve të tij. Duke u mbrojtur pas hekurave, Meta vazhdon të sulmojë SPAK-un dhe të kërkojë solidaritet për të “denoncuar” manipulimet në dosjen kundër tij, ndërsa përmend pastrimin e parave dhe mosveprimin e institucioneve ndaj aferave të Edi Ramës. Por ky apel nuk ka marrë një mbështetje masive. Ajo që duket qartë është se protestat e tij janë gjithashtu të lidhura me hallin personal të një njeriu që po përballet me drejtësinë dhe që ka humbur mbështetje nga shumë prej atyre që dikur e konsideronin si liderin e të ardhmes.

Mesazhi

Ndërsa Meta dhe Berisha kërkojnë të ndihmohen nga qytetarët, ata nuk po marrin mbështetje të mjaftueshme. Qytetarët janë të vetëdijshëm se thirrjet për protesta nuk janë për çështje të interesit publik, por për të mbrojtur individët që janë akuzuar për korrupsion dhe abuzime. Pas një periudhe të gjatë me protesta të dështuara, qytetarët kanë filluar të humbasin besimin te liderët politikë që tashmë i shohin si të lidhur me sistemin e vjetër të korrupsionit dhe nepotizmit. Këto protesta deri tani kanë dështuar gjithashtu për shkak të mungesës së një ideje të qartë dhe të një lëvizjeje që përfaqëson interesat e masës. I gjithë ky mobilizim politik është më shumë një mundësi për të mbajtur në këmbë rrethin e pushtetit dhe për të mbrojtur interesat personale të politikanëve të korruptuar, sesa një thirrje për ndihmën e qytetarëve. E gjithë kjo situatë tregon se jemi përballë një krizë të vërtetë besimi për politikën e Shqipërisë, veçanërisht atyre të opozitës, liderë të së cilës po përdorin çdo mundësi për të shpëtuar veten dhe për të mbajtur të paprekur pozitat e tyre, pavarësisht se shumë qytetarë janë tashmë të lodhur nga ky proces i pafund.

Reagon Berisha

Megjithatë mbetet të shihet në datën 26 nëntor nëse Partia Demorkatike dhe Partia e Lirisë do të munden të mbushin sheshin në Tiranë me protestues, për t’i treguar muskujt kundërshtarëve si qeveria po organet e reja të drejtësisë si Prokuroria e Posaçme (SPAK), Gjykata e Posaçme (GJKKO) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), pro edhe për të rrëzuar tabutë se tubimet e tyre janë aq të vogla në përmasa sa edhe një sindikatë mund t’i organizojë ato, madje me më shumë njerëz që iu përgjigjen thirrjes së tyre. Ish-kryeministri Sali Berisha, doli dje në një konferencë online me gazetarët, teksa ka njoftuar protestën e radhës që do të mbahet nga opozita. Kreu i PD-se ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë të bashkohen në protestë më 26 nëntor në Tiranë. “Në datë 26 është protesta tjetër kombëtare, më e fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ndaj ftoj shqiptarët, në datën 26 marshim në Tiranë. E gjithë Shqipëria në Tiranë. Mosbindja civile është rrugë e vetme e ndarjes nga kjo diktaturë”, deklaroi Berisha. Kujtojmë se protesta fundit e opozitës u mbaj ditën e martë, më 19 nëntor në orën 17.00 përpara Kuvendit të Shqipërisë për të kundërshtuar miratimin e buxhetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related