Zhvillimet globale: Nesho kritikon administratën Biden dhe politikat e saj të jashtme

Data

I ftuar në një program televiziv diplomati Agim Nesho analizoi zhvillimet globale dhe tensionet ndërkombëtare.
Ai theksoi se përshkallëzimi drejt një lufte të madhe botërore do të kishte pasoja katastrofike për njerëzimin. Sipas tij, rregullat e lojës nuk përcaktohen më nga Rusia, por nga dy superfuqi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina.

Nesho vuri në dukje fuqizimin ekonomik dhe strategjik të Kinës, e cila, megjithatë, ende nuk e ka arritur statusin e një fuqie botërore. Gjithashtu, ai kritikoi politikën e jashtme të administratës Biden, duke e lidhur atë me vendimet që kanë ndikuar në rritjen e tensioneve globale.

‘Përshkallëzimi dhe kalimi në një luftë të madhe botërore është diçka që ka një kosto për gjithë njerëzimin.
Duhet të mendohet se nuk është Rusia ajo që përcakton sot rregullat e lojës, por janë dy kundërshtarët kryesorë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pjesën e Perëndimit dhe Kina në bllokun e vendeve autokratike të Lindjes.

Kina, deri tani, që nga viti 2003, është fuqizuar duke u bazuar në këtë rend dhe ende nuk ka arritur të jetë fuqia më e madhe botërore. Për këtë arsye, ajo kërkon të fitojë sa më shumë përparësi, dhe një luftë botërore është kundër interesave të saj, pasi prej kohësh po punon për t’i arritur objektivat e veta.

Dihet se administrata Biden nuk ka pasur një politikë të jashtme të suksesshme, ashtu siç është komentuar edhe për ngjarjet dhe dështimin e madh që ndodhi me politikën e jashtme në Afganistan. Kjo krijoi mundësinë që Rusia të mendonte se kjo ishte një pikë e dobët dhe se nuk do të mund të ndalohej një inkursion i saj në një luftë kundër Ukrainës.
Evropa ende nuk ka arritur në një moment ku të veprojë në mënyrë të bashkuar me një logjikë gjeopolitike.

Edhe në rastin e fundit të raketave, kemi një deklaratë nga NATO, por kemi gjithashtu shtete të tjera të Evropës që mbajnë qëndrime pro-ruse. Ka një ndarje mes vendeve të Perëndimit, të cilat shqetësohen për efektin e një lufte të ardhshme, dhe vendeve të Lindjes, që e dinë se oreksi i Rusisë nuk do të përfundojë vetëm me provokime, por edhe me zaptimin e territoreve, siç janë vendet baltike ose gjithë muri i tre deteve.’- u shpreh Nesho.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related