Nën hijen e zv/kryeministres, njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vazhdon të prokurojë dhe nxjerrë paratë nga arka në emër të anijeve TEC “Tigri 1” dhe “Tigri 2”. Që prej kohës kur dy anijet termocentral “Tigri 1” dhe “Tigri 2” zbarkuan në Gjirin e Vlorës, rreth dy vite më parë, shteti shqiptar ka hapur shumë tendera ku janë shpenzuar miliona euro, por ende nuk ka prodhuar asnjë kilovat energji. Për një kohë të gjatë TEC-et qëndrojnë në fazë testimi sipas KESH.
Afati për nisjen e prodhimit të energjisë është shtyrë disa herë, ndërkohë tenderët vazhdojnë. Në këtë kuadër, që nga muaji gusht 2024 po bëhen lëvizje për zhvillimin e prokurimit me objekt “Përfitimi i shërbimit të evadimit të mbetjeve hidrokarbure TEC Lundrues Vlorë dhe trajtimi i tyre përfundimtar”. Nuk e dimë se si u krijuan këto mbetje pa punuar, por tashmë kjo është fakt dhe tenderi është zhvillim e sipër. Ky prokurim po zhvillohet nga KESH, në kohën kur erdhi si administrator Erald Elezi. Procedura është shpallur në sistem nga APP në 14 gusht 2024, ndërsa Erald Elezi ishte emëruar në krye të KESH në 30 korrik 2024.
