Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili prej më shumë se një muaji ndodhet në burg, pasi u arrestua me urdhër të SPAK ka paraqitur argumentet e tij në Apelin e GJKKO ku kërkon lirimin.
Teksa sqaron të gjitha argumentet e tij, Ilir Meta thotë se nuk e imagjinon të arratiset, madje u drejtohet gjykatësve duke i thënë se nëse ata e kanë këtë shqetësim le ti bllokojnë pasaportën. Referuar përvojës amerikane, Meta kërkon që të lihet e lirë dhe të ushtrojë detyrimet e tij ndaj qytetarëve që e kanë zgjedhur.
Argumentet e plota te mbrojtjes
Zonja Gjykatëse, jepini fund kësaj sjellje paragjyqësore ndaj ish-Presidentit të Republikës!
Kulmi i papërgjegjshmërisë të SPAK-ut dhe sidomos të kallëzuesit tim në SPAK për çështjen CEZ-DIA, të dënuarit nga gjykata për dhunë në familje, Romeo Kara, si edhe dëshmitarit kryesor, që i referohet SPAK, Elvis Mataj, i cili ishte krahu i djathtë i Kastriot Ismailajt në menaxhimin e DIA dhe i denoncuar nga ky në prokurori për vjedhje dhe mashtrim, është pikërisht ky paragraf i shkruar nga vetë SPAK në faqen 34, paragrafi i parë:
“Nga deklarimet e shtetasit Romeo Kara, ka rezultuar se në biseda me shtetasin Elvis Mataj, ky i fundit i ka thënë që Kastriot Ismailaj me çantën e Elvisit i ka dërguar një sasi të konsiderueshme parash në shtëpi Ilir Metës, gjë e cila në deklarimet e Elvis Mataj nuk është pranuar”.
Pra në një paragraf kaq konçiz të shkruar nga SPAK-u, ose kallëzuesi i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të regjistruar këtë çështje mashtron, ose dëshmitari i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të shpifur për personin tim gënjen. Por që të jemi seriozë dhe jo si SPAK-u, ata gënjejnë kryesisht që të dy nga fillimi në fund lidhur me personin tim për qëllime politike të regjimit dhe ekonomike të atyre vetë. Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Kastriot Ismailit në drejtimin e DIA-s dhe pasi hynë në konflikte me të për punë parash u përdorën nga Damian Gjiknuri si Ministër i Energjisë, si dëshmitarë në Arbitrazh në Vjenë kundër Kastriot Ismailit.
Me këtë rast Romeo Kara fitoi vendin e punës në shtet në sektorin energjitik ndërsa Elvisit iu pushuan çështjet me drejtësinë dhe jo vetëm atij, por edhe bashkëshortes, e cila ishte e paditur po ashtu për mashtrime dhe kishte interesa direkte me CEZ-in. Është po ky Romeo Kara që në procesin gjyqësor ku u dënua Kastriot Ismailaj asnjëherë nuk e ka përmendur emrin tim si të lidhur me DIA apo Kastriot Ismailin.
