Teksa këtë të dielë u shënua 80-vjetori i çlirimit të Tiranës, ngjarje kjo që lavdëron sakrificën heroike të partizanëve dhe Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, një debat i nxehtë ka shpërthyer sërish në skenën politike dhe historike. Kreu i Ballit Kombëtar (PBK), Adriatik Alimadhi, ka ngritur akuza të ashpra ndaj Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe veteranëve të Luftës, duke i cilësuar partizanët si “kriminelë e banditë” dhe duke hedhur poshtë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, për të cilin shpreh bindjen se ishte një “luftë vëllavrasëse” dhe “mashtrim të madh”. Sipas Alimadhit, qëndrimi i partizanëve nuk ishte asgjë më shumë se një “kriminalizim i popullit shqiptar”, duke pohuar se ata ekzekutuan më shumë se 6 mijë persona pa gjyq dhe të drejtë
Në këtë kontekst të tensionuar, Alimadhi ka ftuar shqiptarët të rishikojnë historinë dhe të kthejnë sytë nga Balli Kombëtar, duke sugjeruar se ky ishte subjekti që udhëhoqi luftën më të drejtë dhe më të pastër për Shqipërinë, kundër pushtuesve fashistë dhe atyre që, sipas tij, ishin “kriminelë të vërtetë”, pra komunistëve dhe partizanëve. Po ashtu, ai ka hedhur akuza të forta edhe ndaj ish-kryeministrit Mehmet Shehu, duke i dhënë një ngjyrim akoma më të fortë përplasjeve të politikës shqiptare dhe interpretimeve të historisë. Këto deklarata zoti Alimadhi i ka bërë në rrjetet sociale, të cilat po i pasqyrojmë më poshtë.
Reagimi numër një i kreut të Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi
“Me ftesë të zotit Besim Ndergjoni, President i Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve të Përndjekurve Politik të Shqipërisë, mora pjesë në 80 vjetorin e vrasjes së elitës së kombit, 39 intelektualët e Tiranës të vrarë në mënyrë barbare nga kriminelët komunistë! Në fjalën time falenderova zotin Ndergjoni për ftesën dhe organizimin e këtyre aktiviteteve me frymë thellësisht dhe plotësisht patriotike dhe Kombëtare. Në emër të Ballit Kombëtar përshëndeta familjarët e dëshmorëve të kombit, të cilët deshën një Shqipëri pa komunizëm, një Shqipëri pa diktaturë, një Shqipëri demokratike dhe perëndimore.
Nuk janë vetëm 39 të vrarë nga kriminelët komunist dhe kriminelët partizanë, por vranë 185 në Shipcka të Korçës, 36 në Gërhot të Gjirokastrës, 22 dëshmorë në Martanesh, 67 Ballistë në Matjan të Lushnjes, 28 në Dunicë të Pogradecit, vrasja e 6 nacionalistëve në Ziçisht të Devollit, e kështu me radhë në të gjithë Shqipërinë u vranë nga dora kriminale komuniste dhe partizane deri në 6000 mijë shqiptarë që kërkonin një Shqipëri të lirë dhe demokratike, ata vranë gjithë patriotizmin Shqiptar. Sot bijtë e komunistëve festojnë 80 vjetorin ditën e çlirimit kurse ne nderojmë kontributin patriotik dhe kombëtar, por jo vetëm të këtyre 39 intelektualëve por të mbi 6000 shqiptarëve që u vranë nga dora kriminale komuniste. Me thënë të drejtën politikisht në këto 34 vite nuk kemi bërë aq sa duhet për të dënuar krimet e komunizmit, nuk realizuam një histori reale, nuk larguam historinë komuniste dhe të fusim historinë e Shqipërisë në shtratin e plotë kombëtar.
Sot kemi burgosje politike nga kjo mendësi, prandaj ju ftoj gjithë shqiptarët të bashkohemi rreth kësaj alternative që përkujtojmë sot për t’i dhënë fund mendësisë dhe veprimtarisë komuniste për të mos patur më krime, burgosje politike por të bashkohemi për larguar këtë mendësi që i mbajnë shqiptarët ende të ndarë. Nderim dhe respekt kontributit, sakrificave të këtyre dëshmorëve të kombit që u vranë nga dora kriminale komuniste. Faleminderit”, shkruan Alimadhi.
