Vizita luksoze e kryeministrit Edi Rama disa javë më parë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duket se është një skandal, për shkak se shumica e qytetarëve shqiptarë po luftojnë me pasiguri ekonomike dhe pasojat e krizave të shumta. Kryeministri Rama e mohoi se shpenzimet mbi 500 mijë dollarë në SHBA janë paguar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë gazeta “SOT” ka mësuar se personi që financoi udhëtimin me shpenzime marramendëse të Edi Ramës në SHBA, është një biznesmen me iniciale D.A. Por kush është D.A.? Çfarë e lidh atë me Ramën dhe çfarë fshihet pas këtij financimi? Përgjigjet mund të jenë shumë më të thella dhe më të rrezikshme se sa duket.
Megjithatë në ditët në vijim gazeta do të publikojë faturën e plotë të kryeministrit Rama në Nju Jork dhe do të bëjë publik emrin e biznesmenit që ka financuar “harbimin” e Ramës. Ndërkaq kujtojmë se më shumë se 500 mijë dollarë dyshohet se janë shpenzuar për aktivitete që duket se ishin më shumë një fushatë elektorale sesa një mision shtetëror nga ana e zotit Rama. Disa nga shpenzimet përfshijnë pronontimin e sallës 100 mijë dollarësh, ku u takua me diasporën shqiptare, sigurinë për të me kosto 80 mijë dollarë dhe një reklamë në Time Square që njoftonte vizitën e tij në Nju Jork për 61 mijë dollarë.
Po ashtu, biletat për një ndeshje të NBA-së, që kushtuan 51 mijë dollarë dhe fjetja në një hotel luksoz për mbi 60 mijë dollarë janë gjithashtu pjesë e këtij shpenzimi të shtrenjtë. Këto shpenzime ngrejnë dyshime për përdorimin e fondeve publike në aktivitete që nuk kanë lidhje me interesat e qytetarëve. Sidoqoftë në ditët në vijim do të zbulojmë më shumë detaje rreth vizitës lukzose të Ramës në Nju Jork.
Bileta për ndeshjen në NBA, reagon Rama
Nga ana tjetër bëjmë me dije se kryeministri Edi Rama ishte disa ditë më parë në SHBA, ku zhvilloi edhe një takim me shqiptarët në Nju Jork. Gjatë kësaj vizite, Rama ndoqi edhe ndeshjen e NBA-së, për të cilën opozita shtroi pyetjet se ku i mori paratë për biletën në stadium. Ai deklaroi në një interviste televizive se bileta ishte e rezervuar nga persona që i ndjekin ndeshjet prej vitesh dhe për të ka qenë ftesë nga një mik. “Ajo biletë as nuk blihet e as nuk shitet. Ato janë vende të rezervuara nga personat që i kanë marrë për vite të tëra. Nuk ka rëndësi ka kush ishte? Miq të mi… Dhe që donin të më jepnin këtë kënaqësi. Në Amerikë kjo gjë është njësoj sikur të fton dikush në restorant”, u shpreh kreu i qeverisë. I pyetur nëse miku që ia ka dhuruar ka interesa me Shqipërinë, kryeministri e mohoi. “Jo fare. Do më korruptonte mua me biletën? Këto janë muhabete kot o Fevzi tani.
Unë as kam marrë biletë, as kam parë biletë, as kam vënë njeri të blejë biletë, as ka blerë njeri biletë. Në SHBA vendet e rezervuara janë në të gjitha llojet e sporteve. Rezervohen nga njerëzit jo thjesht për vete që të shkojnë çdo herë, por edhe për të ftuar miq siç ftohen në restorant, siç ftohen në kafe. Meqë hape çështjen e dhuratave unë po të them. Unë jam i pari kryeministër në historinë e këtij vendi. Tani nuk po fus kohën e komunizmit se atëherë nuk kishte të tilla që çdo dhuratë me dhuratat që më vijnë se vjen një delegacion dhe lënë dhurata. Dhuratat në raste të caktuara kanë vlerë shumë të madhe. Unë me dhuratat e marra kam krijuar një muze në kryeministri dhe çdo dhuratë që vjen për mua regjistrohet si pronë e Republikës së Shqipërisë. Dhe vetëm në ora në vlerë që janë të regjistruara si pronë e Republikës së Shqipërisë bëhet fjalë për shuma shumë të mëdha. Pra që të jemi shumë të qartë”, theksoi Rama.
