Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka komentuar në rrjetet sociale projektbuxhetin e vitit 2025. Ajo shprehet se njësoj si 11 buxhetet e viteve të kaluara, edhe ky i 2025, përqendrohet në pak duar duke favorizuar në pakicë të privilegjuar.
“Buxheti i vitit 2025 nuk është buxheti i 95% të shqiptarëve. Është një buxhet tjetër socialist, në shërbim të 5% të privilegjuarve, njësoj si 11 buxhetet e kaluara që kanë përqendruar ekonominë në pak duar”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se buxheti nuk duhet të ketë përjashtime fiskale të pakuptimta. Deputetja shton se duhet të shpërndahet në sektorë prioritarë si arsimi dhe shëndetësia. “Duhet të vendosim rregulla për një taksim të drejtë mbi punën dhe bizneset, që mbështesin sipërmarrësit dhe idetë novatore, jo të subvencionojmë largimin e shqiptarëve.
Së dyti, bujqësia duhet të subvencionohet dhe mbështetet me politika që nxisin prodhimin dhe zhvillimin e fshatit, jo të pengohet me taksa të padrejta.
Së treti, buxheti duhet të shpërndahet në sektorë prioritarë si arsimi, që rinia të jetë e përgatitur për tregun e punës dhe shëndetësia, që shqiptarët të mos përballen me raste tragjike për shkak të mungesës së sigurisë shëndetësore”, shprehet Tabaku.
