“Karamelet” elektorale janë të zakonshme përpara zgjedhjeve. Ato ofrohen si shpërblim nga qeveria e radhës për të joshur votuesit dhe për të ruajtur pushtetin edhe me një tjetër mandat. Zakonisht janë në formën e projekteve në infrastrukturë, në amnisti taksash apo rivlerësime pronash.
E këtë të fundit qeveria e tentoi sërish, por konjukturat financiare dhe ekonomike e detyruan të tërhiqej, për ta shtyrë në kohë rivlerësimin e duke lënë kështu peng tregun e pasurive të patundshme, së bashku me qytetarët që ishin në pritje të kësaj lehtësie për të shitur apo rivlerësuar pasuritë e tyre të patundshme.
Por, çfarë ka ndodhur?
Më 15 maj të këtij viti, deputetja socialiste Blerina Gjylameti dorëzoi në Kuvend një projektligj që mundësonte rivlerësimin e të gjitha pronave, përfshi ato në proces legalizimi me një tatim 3% nga 15% që është aktualisht. Një nismë që u mirëprit nga qytetarët, por edhe nga tregu i pasurive të patundshme, që prej një viti ishte nën ndikimin e rritjes së çmimit të referencave, që fillimisht u bë për kryeqytetin dhe që pritej të shtrihej në të gjithë Shqipërinë nëpërmjet asaj që quhet harta e referencave.
Nisma e deputetes socialiste do të qëndronte e arkivuar në Kuvend për gati dy muaj, e papërfshirë në agendën e diskutimeve të komisioneve parlamentare. Kjo situatë zgjati deri më 17 korrik, kur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me kryetarët e bashkive do të njoftonte se rivlerësimi do të bëhej, por me disa kushte.
