Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të fillojë mandatin e ri në janar të vitit 2025.
Në shtator të atij viti do të bëhen pesë vjet prej se Trump, i cili ka shërbyer si president edhe nga viti 2017 deri më 2021, ka marrë pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.
E njohur si Marrëveshja e Uashingtonit, ajo është arritur më 4 shtator të vitit 2020 dhe përmban disa pika – nga krijimi i linjave ajrore dhe hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë deri te njohja e Kosovës nga Izraeli.
Derisa kjo e fundit është përmbushur, shumë pika të tjera mbeten pa u zbatuar.
Ish-zyrtarë të institucioneve të Kosovës që kanë kontribuuar në arritjen kësaj marrëveshjeje, por edhe njohës të ekonomisë thonë se ajo është e leverdishme dhe duhet zbatuar.
Në mesin e pikave më të rëndësishme për qytetarët e të dyja vendeve, ata i vlerësojnë ato që lidhen me lëvizjen e lirë – përkatësisht hekurudhën dhe linjën ajrore – por që nuk janë zbatuar.
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës se përse nuk është punuar në zbatimin e këtyre pikave dhe a pritet, por nuk mori përgjigje.
Marrëveshja, në fakt, është nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, vetëm disa muaj para se kryeministri aktual, Albin Kurti, ta merrte pushtetin.
As Hoti nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë temë.
Ramë Çupeva, i cili ka marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për hekurudhën në cilësinë e drejtorit të atëhershëm të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, thotë se marrëveshja “është ndër më të mirat” që ka bërë Kosova me Serbinë.
Ai thotë se e përkrah “pa rezerva” atë.
“Zbatimi i saj i ka takuar Qeverisë. Por, pas ndërrimit të qeverive, askush nuk ka bërë përpjekje për ta çuar përpara”, thotë Çupeva për Radion Evropa e Lirë.
REL-i kontaktoi zyrtarët e tanishëm në Departamentin e Infrastrukturës Rrugore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, por ata nuk u përgjigjën.
Nga Infrakos-i – kompania që operon me rrjetin hekurudhor të Kosovës – konfirmuan se nuk kanë nisur ndonjë punë në hekurudhën Prishtinë – Merdare.
“Ne, si Infrakos, jemi të gatshëm që kurdo që të arrihet praktikisht marrëveshja për zbatimin [e projektit], t’i marrim veprimet tona”, thuhet në përgjigjen dërguar REL-it.
Situatë e ngjashme është edhe me linjën e paraparë ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit dhe anasjelltas.
Më shumë se katër vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, midis dy vendeve nuk fluturon ndonjë avion.
Kompania Lufthansa, e paraparë të operonte në këtë linjë, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se ku nga ngecur procesi.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës thotë në një përgjigje të shkurtër për REL-in se “deri më tani, nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga kompania ajrore në fjalë për të filluar fluturimet në linjën Prishtinë – Beograd”.
