Analiza e gjashtë viteve aktivitet sa i takon fillesës së një koncesioni por edhe zbatimi i kontratës kanë dalë në përfundimin se ai shoqërohet me mangësi të shumta.
Kontrolli i Lartë i Shtetit publiko raportin e një auditimi të kryer pranë Ministrisë së Financave “Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm dhe miratimin e bonusit në procedurën konkurruese që i jepet shoqërisë”, për periudhën 09.12.2016 deri më datë 31.12.2022.
Referuar këtij raporti audituesit dalin në përfundimin se lidhur me përputhshëmrinë rezultuan mangësi kryesisht në procedurën e dhënies me koncesion dhe zbatimin e kontratës koncesionare, si shkelje e kuadrit rregullator të fushës (koncesioneve) për dhënien me koncesion të këtij shërbimi, pasi është bërë nëpërmjet propozimit të pa kërkuar, i cili nuk e përfshin dhënien me koncesion në një nga fushat e përcaktuara në kuadrin rregullator të fushës.
“Dhënia me koncesion e shërbimit të verifikimit të shpërndarësve të karburantit, ka ndikuar negativisht në efektivitetin dhe eficiencën e investimeve të kryera në Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, për blerjen e autolaboratorëve dhe pajisjeve të nevojshme për kryerjen e këtij shërbimi, ku janë investuar 63,975,994 lekë.
U konstatuan mangësi në hartimin e kontratës së koncesionit duke mos pasqyruar kushtet e DST. Gjithashtu u konstatuan mangësi në zbatimin e kontratës nga koncesionari si dhe nga institucionet që mbështesin parregullsitë e konstatuara” thuhet në raport.
