Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir beqaj u rikhye në Kuvend me pranga në duar i shoqëruar nga policia. Beqaj u tregua i kujdesshëm që prangat të cilat i rrethonin duart, t’i mbulonte me xhaketë për t’i shpëtuar syrit të medias.
PD këmbëngul tek thirrja e Ramës dhe Vilma Nushit si dëshmitar dhe kërkon zgjatjen e afatit të këtij komision. Deputeti demokrat Edmond Spaho përsëriti në hetimorin e Sterilizimit edhe një herë kërkesën e opozitës për dëshminë e Edi Ramës në Komision.
“Pa dëshminë e Edi Ramës nuk duhet të mbyllet komisioni. Mazhoranca nuk ka pse të jetë kokëfortë. Nuk janë paratë e mia, por të qytetarëve. Jemi në parlament për të administruar paratë e qytetarëve. Vjedhje e turpshme dhe duhet mbajtur përgjegjësi”, tha Spaho.
Ndërsa deputeti i PD-së, Saimir Korreshi ka kërkuar që biznesmenja Vilma Nushi duhet të paraqitet në Komisionin Hetimor Parlamentar për Sterilizimin dhe Check-up.
