Zbardhen disa nga emrat e drejtuesve të policisë në qarqe, Vilson Bala pritet të drejtojë DVP e Tiranës, ja kush do…

Data

Janë zbardhur disa prej emrave të rinj që pritet të emërohen drejtues të disa prej drejtorive të qarqeve të Policisë së Shtetit, pas përfundimit të pikëzimit. Në ditët në vijim pritet që Vilson Bala, aktualisht drejtor i Operacionales, të marrë drejtimin e Policisë së Tiranës. Ndërkohë, emra që pritet të konfirmohen zyrtarisht janë Elidon Çela, ish-drejtues i AMP-së së Tiranës, të marrë detyrën në Berat, rikthehet Fatmir Lleshaj në Durrës, zv/drejtori i Tiranës, Luigj Vathi pritet të emërohet në Lezhë. Elton Alushi, nga zv/drejtor pritet të marrë besimin për drejtimin e Vlorës. Ish-kandidati për drejtor të përgjithshëm, Altin Mena, pritet të emërohet në Elbasan. Në Shkodër drejtimin pritet ta marrë Gentian Berberi.

Pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të dokumentacionit dhe intervistës së kandidatëve për pozicionin e “Drejtorit të Drejtorisë Vendore”, Policia e Shtetit dje publikoi listën e pikëve të fituara nga secili kandidat gjatë konkurrimit. Ky proces ka përfshirë një analizë të kujdesshme të dosjeve dhe një intervistë me kandidatët e pranishëm. Komisioni i Vlerësimit, i përbërë nga 3 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, ka kryer vlerësimin e kandidatëve. Kryesuesi i komisionit, Neritan Nallbati, aktualisht Drejtor i Policisë Kriminale dhe anëtarët Saimir Boshnjaku dhe Pëllumb Seferi, kanë dhënë vlerësimet përfundimtare. Për të tre kandidatët, Artur Shira, Dritan Malaj dhe Lorenc Shehu, nuk u paraqitën në fazën e intervistës, dhe si rezultat, ata janë përjashtuar nga procesi konkurrues. Policia e Shtetit njoftoi se të gjithë kandidatët kanë mundësinë e ankimimit të vendimit brenda një periudhe 2-ditore nga publikimi i tij në faqen zyrtare të institucioni.

Reagon opozita

Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar dje për emdiat nga banesa ku qëndron i izoluar, pas zbulimit të emrave të 12 drejtorëve të policisë në qarqe. Berisha the se kryepolicët në qarqe po i zgjedh klani i Troplinit dhe i Bajrëve. Berisha hodhi akuza të forta duke thënë se Klani i Troplinit ka emëruar Neritan Nallbatin, Neritan Xibrakën, ish-bashkëpunëtorin e Hakmarrjes për Drejtësi, të nxjerrë nga Igli Toska nga policia e shtetit për bashkëpunëtor me këtë organizatë, për nxjerrje të sekretit te kjo organizatë. Nuk munguan akuzat e Berishës edhe për SPAK-un. “A e dini se çfarë po ndodh këto ditë? Kush po i përzgjedh drejtorët e policisë?

Drejtorët e policive po i zgjedh klani i Troplinit dhe i Bajrëve. Klani i Troplinit ka emëruar Neritan Nallbatin, Neritan Xibrakën, ish-bashkëpunëtorin e Hakmarrjes për Drejtësi, të nxjerrë nga Igli Toska nga policia e shtetit për bashkëpunëtor me këtë organizatë, për nxjerrje të sekretit te kjo organizatë. A e dini ju se Ervin Toplini, ka përzgjedhur pasi mori Ilir Prodën e krimit, përfaqësuesin e bandave të Elbasanit drejtor policie, tani zgjedh Nallbatin me zgjedhë drejtorët e policisë. A nuk janë këta organizatë kriminale?”, deklaroi ai. Ai tha më tej se “këta janë edhe më të ligj se ata që rrinë në ilegalitet”. “Shumë më të ligj, se këta kanë pushtuar zyrat e shtetit, përdorin paratë e shtetit, janë kryekëput në shërbim të tyre. Cila drejtësi, më thoni ju mua? Kush e bëri drejtësinë? E bëri Xhorxh Sorosi. Janë me dokumente këto. Nuk është një shpikje e imja.

Ai e shkatërroi drejtësinë me ambasadorë të korruptuar, me lotimin e tyre të korruptuar, natyrisht me Edi Ramën, pa Edi Ramën nuk bëhej kurrë ajo. Nuk ka nevojë të flas unë, drejtësia flet vetë për veten e vet. Po Olsi Çela në sa dosje e ka emrin? Çfarë është Olsi Çela? Është prokuror i përgjithshëm, por është prokuror i dosjes së Xibrakë, dosjes së Olsi Ramës, ndaj u shpërblye. Ndaj Olsi Çela mbron Irenën me 5 mbiemra, bashkë me Altin Dumanin e mbrojnë kriminelen që fsheh krimin. A nuk janë këta organizatë kriminale? Nëse unë e kam gabim çdo njeri mund të thotë. Ky është produkt i antireformës që u krye në Shqipëri mbi baza korrupsioni që kishte një qëllim, të konsolidonte narkoshtetin dhe të zhdukte opozitën. Ky ishte qëllimi”, nënvizoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related