Biznesmeni Ilir Rrapaj dëshmoi sot para komisionit hetimor të shëndetësisë, ku u pyet nga kryetarja e komisionit, Albana Vokshi. Seanca ishte e tensionuar, pasi Vokshi ngriti pyetje të shumta mbi rolin dhe qëllimin e pranisë së Rrapajt në takime të rëndësishme zyrtare.
Vokshi e pyeti Rrapajn duke i kërkuar sqarime mbi pozicionin e tij në këto takime. Ajo e vuri në vështirësi, duke e pyetur se me çfarë funksioni po përfaqësonte palën italiane. Rrapaj u përgjigj se ai ishte shtetas italian dhe i ftuar në cilësinë e përfaqësuesit të Konfindustrisë italiane.
Vokshi e pyeti më tej, duke vënë në dyshim rolin e Konfin Italia në këto mbledhje, pasi nuk figuronte në dokumentet zyrtare.
Dëshmia e Ilir Rrapaj solli tensione në komision:
Vokshi: Cilat pozita kishit ju këtu? Në këto takime zyrtare, ku flitet për marrëveshje, vetëm zyrtarët marrin pjesë dhe ulen ata që kanë një pozicion (tregon foton). Atëherë, më thoni ju lutem, mirë, në takimin e parë ju ishit të ftuar nga Konfindustria, por nuk kishit rol, dhe ju sapo e pranuat se nuk kishit asnjë rol në marrëveshje. Atëherë, përse ndodheni ju këtu, ulur në takimet zyrtare të ministrit në nivele të larta zyrtare, për marrëveshje kuadër?
