Anija “Moliva” do të ankorohet sot në Portin e Durrësit, ja ku do të shkarkohen 102 kontejnerët me “mbetje toksike”…

Data

Anija “Moliva” do të ankorohet në Portin e Durrësit ditën e sotme. Autoritetet përkatëse kanë njoftuar se hyrja e anijes në port do të kryhet rreth orës 07:00 të mëngjesit dhe më pas do të bëhet shkarkimi i kontejnerëve. “Moliva” mbart në bord 102 kontejnerë të cilët dyshohet se në përmbajtje të tyre kanë mbetje toksike, do të shkarkohen ditën e sotme në një ambient të sigurt, larg qendrave të banimit të cilat do të ruhen nën kushtet e sigurisë maksimale. Kjo ngarkesë e cila raportohet të jetë 2100 ton, do t’i nënshtrohet hetimeve dhe analizave të mëtejshme për të verifikuar dhe rrezikshmërinë që këto mbetje mbartin.

Akuzat nga Agron Shehaj

Ndërkohë për këtë çështje dje në seancën parlamentare foli edhe deputeti i opozitës, Agron Shehaj, i cili kërkoi shpjegime zyrtare nga institucionet përgjegjëse se çfarë po bëhet me to dhe veçanërisht nga ministri i Brendshëm. “Një anije me kontejnerë të trafikuar me mbetje toksike ndodhet në portin e Durrësit dhe ministri i Brendshëm duhet të japi përgjigje se çfarë po bëhet. Nuk u dha asnjë shpjegim. Opinioni publik do ta dije çfarë po bëhet me mbetjet, të shpjegohet, ta dinë qytetarët”, tha ai. Në këtë moment ndërhyri kryeparlamentarja Spiropali, që i kujtoi se fjala ishte për procedurë. Por Shehaj iu kthye duke i kërkuar që të mos i ndërpriste fjalën.

“Pse ndërprisni, çfarë ju shqetëson? Ju shqetëson sepse gjysma e qeverisë është e përfshirë në këtë skandal, në trafikimin e mbetjeve toksike! Duhet të zbatoni urdhrin e Prokurorisë, çfarë po ndodh me mbetjet? Ju i keni thënë që po mundoheni, s’është e lehtë të lëvizësh 102 kontejnerë? Kur të ketë çështje tjetër do ju informojmë! Po ju nuk mendoni se duhen informuar qytetarët? Nuk ju shqetëson kjo zoti ministër? Mund të na tregoni dreqin çfarë po bëni?”, tha Shehaj.

Vetë, Ervin Hoxha, ka thënë gjatë seancës së djeshme parlamentare se po punohet për krijimin e kushteve të duhura që ngarkesa të shkarkohet në tokë dhe të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme mbi produktin. “Shumë shpejt kontejnerët dot zbresin në një hapësirë publike, e cila po krijon kushtet dhe mundësinë sipas kapaciteteve dhe infrastrukturës për çështjet e sigurisë në ambientet e Durrësit”, ka thënë ministri Hoxha.

Detajet

Kujtojmë se ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan. Dyshimet për përmbajtjen e tyre të rrezikshme, u hodhën nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’, pas një sinjalizimi që ajo kishte marrë nga Shqipëria. Kompania Sokolaj, nuk i ka deklaruar si mbetje të rrezikshme, kur ato u grumbulluan në një mjedis të hapur në Portin e Durrësit përpara se të ngarkoheshin në kontejnerë. Për këtë rast, është duke u kryer një hetim i dyfishtë, nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel.

Alarmi i dhënë nga “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” bëri që Tajlanda, vendi pritës, të refuzonte shkarkimin e kontenierëve në portet e saj, ndërsa u njoftua se anijet do riktheheshin në Shqipëri. Në atë kohë, në muajin gusht, ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit, dolën me një qëndrim të përbashkët ku theksonin se “Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”, thanë ministret Balluku dhe Kumbaro.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related