Në ditën e tretë të dëshmisë së tij, Shukri Buja tregoi në Hagë për masat disiplinore që kanë pasur mundësi që të merren në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ndaj ushtarëve që kanë thyer rregullat.
Ai tha se ka pasur në brigadë një vend (dhomë), ku kanë mundur që të mbaheshin ushtarët por që nuk ka qenë vendndalim.
“Ka qenë një vend në oborrin e komandës së brigadës por që nuk ka qenë vendndalim. Ka qenë një dhomë ku kanë qëndruar dhe kanë pas të drejtën që të dalin në oborr apo të shkojnë në kuzhinë të punojnë. Kjo ka qenë rregullativa”, tha Buja kur u pyet se a ka pasur në ose rreth Zonës Operative të Noredimes ndonjë vend ku ndaloheshin ose mbaheshin ushtarët.
Buja tregoi për sjelljet që mund të pasonin që një ushtar të dërgohet në një vend të tillë.
“Me i rreziku ushtarët e tjerë me të shtëna në ndonjë objekt ose ka shkelë ndonjë rregull tjetër disiplinore është marrë masa. Kjo ka qenë kompetencë që e ka shqyrtu zyra ligjore në bazë të asaj rregullore dhe pastaj ia ka sjellë komandantit për nënshkrim”, tha Buja, duke shtuar se nuk i kujtohet një rast i veçantë.
Dëshmitari tha se nuk i kujtohet saktë se sa ditë më së shumti ka mundur të mbahet një person atje.
“Sa po më kujtohet, ka qenë deri në 20 ditë sipas asaj rregullore”, tha Buja tutje.
Më pas, prokurori James Pace i tha dëshmitarit që në një rast tjetër kishte thënë 25 ditë. Ndërsa, Buja tha se mund të jetë edhe kjo por që nuk e di saktë.
Bujës iu prezantua një rregullore që pretendohet se është përdorur nga ushtria. Megjithatë, për një pikë të saj dëshmitari tha se nuk ka mundur të zbatohet sepse nuk kanë pasur gradime në ushtri.
Kjo pikë thoshte se si masë disiplinore ishte edhe “shkarkim nga detyra e komandantit të skuadrës dhe heqja e gradës tetar dhe rreshter”.
“Kjo po më bën përshtypjen që kjo është një rregullore që mund të jetë e Shqipërisë”, tha Buja.
Ndërsa, pika për ndalim disiplinor, dëshmitari tha se përkon me masat që i kanë marrë. E i pyetur e a ka dërguar ndonjë civil apo ushtar të arrestuar ose ndaluar në Kleçkë, Buja tha se “nuk e di që ka pas të arrestum, por fjalë ka pas. Në popullatë ka pas shumë fjalë”.
Por, ndonëse përgjigja e tij nuk ishte për pyetjen që u bë, prokurori e ripërseriti atë që dëshmitari tregoi se në ushtri gjatë ’98-ës kanë pasur pika kontrolli
