Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë raportimit në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, ku u shqyrtua projektbuxheti 2025, tha ditën e djeshme se paga shtesë për ushqimet që marrin efektivët e policisë nuk jepet në formë tolloni apo kuponi. Ai u shpreh se shuma prej 110 mijë lekësh të vjetra kalon direkt në llogarinë bankare të efektivit, ndërsa shtoi se duhet rishikuar shpenzimi i parave nga policët tek një operator.
“Ajo që po keqinterpretohet është pjesa e operatorëve ku punonjësi do ti shpenzojë këto para, nuk bëhet fjalë të jepet në formë kuponi apo tolloni, kjo para shkon tek efektivi në konton e hapur për këtë qëllim. Mënyra se si një punonjës policie në Pukë apo Vaun e Dejës duhet të shkojë tek një operator për t’i shpenzuar ato para, kjo është ajo që duhet të shikojmë”, tha Hoxha. Pra me këtë shpjegim punonjësit e policisë do të vazhdojnë të marrin paratë në bankën e Samir Manes dhe të shpenzojnë kartën ushqimore vetëm në supermarketet e tij, derisa Hoxha të gjejë një zgjidhje tjetër.
Marrëveshja që firmosi Balla
Në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave ndryshoi skemën e trajtimit ushqimor për mijëra punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët për shkak të orëve të gjata të punës përfitojnë kompensim financiar ekuivalent me vaktet e munguara të drekës. Sipas vendimit të qeverisë, shuma e kompensimit financiar nuk do të transferohet më në llogarinë e tyre të pagës, por në një llogari të posaçme bankare përmes së cilave mund të kryhen transaksione vetëm në njësi tregtare ushqimore apo rrjete supermarketesh.
Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla nxori një udhëzim në maj, ku vendosi kritere për bankat e nivelit të dytë që do të ofronin kartën e posaçme si dhe për rrjetet e supermarketeve që do ta pranonin atë në këmbim të ushqimeve. Por edhe pse udhëzimi premtonte se punonjësit e policisë do të kishin mundësi të zgjidhnin bankën e nivelit të dytë dhe supermarketet ku do ta shpenzonin bonusin, të dhënat treguan se ata patën vetëm një zgjedhje; Tirana Bank dhe rrjetin e supermarketeve SPAR – të dyja në zotërimin e grupit “Balfin” në pronësinë e oligarkut Samir Mane.
Skandali
Një numër punonjësish të Policisë së Shtetit i thanë BIRN pak kohë më parë në kushtet e anonimatit se aplikimet për kartat e posaçme në Tirana Bank ishin kryer nga zyrat e tyre të punës, ku edhe ishin informuar se mund t’i përdornin ato në supermarketet e rrjetit SPAR. “Më lajmëruan ata të punës që të shkoj të tërheq kartën dhe më thanë që mund ta përdor vetëm tek një dyqan,” i tha BIRN një punonjës policie nga një qytet i vogël verior, i cili vetëm pas disa përpjekjesh e identifikoi dyqanin në fjalë si “SPAR”. Ish-ministri i brendshëm, Taulant Balla mohoi që të ishin favorizuar vetëm dy biznese, ndërsa këmbënguli se ishin ndërmarrë procedura transparente me të gjitha bankat dhe supermarketet. “Si në të gjitha rastet e ngjashme edhe në vendet e tjera, ka qenë një proces i hapur ku janë ftuar të marrin pjesë 14 banka dhe të gjithë rrjetet e supermarketeve në Shqipëri,” tha Balla për BIRN. Ndërsa zyrtarët e Ministrisë së Brendshme pretendojnë se e kanë kryer në rregull procesin, ekspertët e ekonomisë shohin probleme që në mënyrën se si është formuluar vendimi i Këshillit të Ministrave dhe udhëzimi i Ministrit të Brendshëm, të tilla që cenojnë konkurrencën.
