Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia përmes një postimi në Facebook, lidhur me situatën e pensioneve në vend.
Meta thotë se kryeministrin Edi Rama gjatë këtyre 11 viteve në pushtet nuk e ka penguar askush për të rritur pensionet. Ai tha se indeksimi me 4.1 % i pensioneve është një tallje dhe poshtërim që kryeministri Rama i bën të moshuarve.
“Qeveria i ka borxh secilit pensionist në zonat urbane mesatarisht në çdo muaj 9,546 lekë dhe në zonat rurale në 5,752 lekë për shkak të mos indeksimit të plotë mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimore dhe rritjes së munguar të pensionit nga rritja ekonomike“, shkruan Meta.
Ish-Presidenti shtoi gjithashtu se nëse Partia e Lirisë vjen në pushtet, do të bëjë të mundur dyfishimin e pensioneve dhe arritjen e standarteve të vendeve europiane në këtë aspekt.
Në tre mandate askush nuk e pengoi Edi Ramën të rriste realisht pensionet.
Në 11 vite në pushtet ai i varfëroi gjithmonë edhe më shumë pensionistët, që sot janë kategoria sociale më e diskriminuar, më e përjashtuar dhe më e varfër e shoqërisë.
Pilulat elektorale të indeksimit të pensionit në masën 4.1% dhe “bonusit të fundvitit” nuk janë gjë tjetër veçse tallje e pashpirt dhe poshtërimi më i madh që ai u bën 791 mijë pensionistëve të të gjitha kategorive.
Nuk ka tregues më të vërtetë se sa pensionet për të kuptuar batërdinë që Edi Rama dhe “Rilindja” kanë bërë me taksat e shqiptarëve, veçanërisht duke thelluar borxhin publik jo për të rritur mirëqenien e pensionistëve dhe të të gjithë qytetarëve por për të vijuar pagesat për PPP-të dhe koncensionet korruptive, pra për të vjedhur me inceneratorët, rrugët e florinjta dhe tenderat sekretë.
Qeveria do të duhej të rriste nivelin e pensioneve të paktën 9.4% apo të barabartë me nivelin e inflacionit për artikujt ushqimorë për të mos lejuar përkeqësimin e kostos së jetesës dhe mbi këtë indeksim dhe një rritje reale për të përfituar dhe kjo shtresë nga rritja ekonomike në masën 3.4% për vitin 2023.
Qeveria i ka borxh secilit pensionist në zonat urbane mesatarisht në çdo muaj 9,546 lekë dhe në zonat rurale në 5,752 lekë për shkak të mos indeksimit të plotë mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimore dhe rritjes së munguar të pensionit nga rritja ekonomike.
Pensionistët shqiptarë sot janë më të varfër se në vitin 2013 kur “Rilindja” erdhi në pushtet.
