A do të rikthehet Melania Trump si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara?

Data

Modelja e suksesshme sllovene që u bë Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, u vendos në qendër të vëmendjes që kur bashkëshorti i saj, Donald Trump, u zgjodh president në vitin 2016. Me mundësinë që Melania Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias i hedh një vështrim jetës së saj dhe disa pritshmërive lidhur me të.

Prindërit e quajtën Melania Knavs. Bota tani e njeh atë si ish-zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.

Ajo ka lindur më 26 prill 1970 në Novo Mesto, Slloveni, pjesë e ish-Jugosllavisë. Gjatë fëmijërisë së saj në qytetin e Sevnicës, babai i saj shiste makina, ndërsa nëna e saj punonte në industrinë e tekstilit.

Melania Knavs ishte megjithatë e interesuar për modën, kujton ish-shoqja e saj e shkollës, Mirjana Jelancic.

“Asaj i pëlqente gjithashtu të krijonte veshje të reja nga ato të vjetra”, thotë zonja Jelancic.

Ajo ndërpreu studimet universitare dhe me emrin e ri Melania Knauss, ndoqi karrierën e modeles në Evropë. Në vitet 1990, suksesi i saj e solli atë në Shtetet e Bashkuara.

“Si një modele mode dhe dikush që ftohej shpesh në festat luksoze në Nju Jork, me sa kuptoj kështu u takua me Donald Trump-in”, thotë profesorja e historisë Katherine Jellison, nga Universiteti i Ohajos.

Melania Knauss u bë Melania Trump më 22 janar 2005 dhe lindi djalin e saj të parë dhe të vetëm, Barron, një vit më vonë. Në të njëjtin vit, ajo u bë edhe shtetase amerikane.

Jeta e Melania Trump-it mori një kthesë tjetër kur burri i saj kandidoi për president i Shteteve të Bashkuara në vitin 2016 me Partinë Republikane dhe ajo iu bashkua atij në fushatën elektorale.

“Është e mrekullueshme të jem këtu sot me ju dhe me bashkëshortin tim. Jam shumë krenare për të”, tha ajo në atë kohë.

Donald Trump-i bëri betimin si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 2017.

Si zonja e parë, Melania Trump bëri udhëtime në mbarë botën

dhe ndërmori projekte si fushata “Bëhu më i miri” që fokusohet në mirëqenien e fëmijëve, sigurinë në internet dhe abuzimin me opioidet.

Ajo mbajti një profil më të ulët se shumë zonja të para, por u përball megjithatë me një vëmendje intensive nga mediat, vëren profesorja Jellison.

“U kritikua nga disa qarqe për zgjedhjet e saj të modës, për vendimin e saj për të mos u zhvendosur menjëherë në Shtëpinë e Bardhë, për fushatën e saj ‘Bëhu më i miri’, që nuk ishte një nga projektet më të suksesshme të shërbimit publik nga një zonjë e parë”, thotë profesorja Jellison.

Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Melania Trump praktikisht u largua nga sytë e publikut.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related